Kurti pranon letër nga Macron, Scholz dhe Meloni, ja çfarë po i kërkohet?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nesër (27 shkurt) do të zhvillojnë takimin e nivelit të lartë në Bruksel, nën ndërmjetësimin e të dërguarit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Një ditë para këtij takimi, Kurti ka pranuar një letër të përbashkët nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në lidhje me takimin e nesërm në Bruksel dhe propozimin Evropian.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit në këtë letër ata kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit Evropian.
“Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni janë shprehur të bindur se konkludimi dhe zbatimi i propozimit Evropian, është me rëndësi thelbësore për përfitimin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për paqen dhe zhvillimin prosperues të rajonit dhe për përparimin e perspektives Evropiane të vendit”, thuhet në njoftim.
Letra e plotë e presidentit francez, kancelarit gjerman dhe kryeministres italiane dërguar kryeministrit Kurti:
Shkëlqesia e tij,
Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës
I nderuari kryeministër,
Me synimin e takimit tuaj të ardhshëm në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja në Bruksel më 27 shkurt 2023, po ju drejtohemi bashkërisht për të bërë një bilanc të diskutimeve për të rënë dakord për një bazë të re për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ne i mirëpresim shumë deklaratat tuaja publike të fundit, duke pohuar se jeni gati të pranoni propozimin evropian për “Marrëveshjen Themelore”. Ne besojmë se tani është urgjente që të vendoset rruga përpara me synimin për të përfunduar këtë marrëveshje dhe për të siguruar zbatimin e saj në bazë të tekstit për të cilin keni rënë dakord.
Në konkluzionet e tij të datës 9 shkurt, Këshilli Evropian shprehu mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë i kërkoi Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte, detyrimet për të cilat u zotuan në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet nga viti 2013 dhe 2015 për të krijuar Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe.
Hapat që janë përpara për zbatimin duhet të pasqyrojnë këtë qasje politike, duke siguruar që “Marrëveshja Themelore” dhe detyrimet e mbetura të dialogut të adresohen në mënyrë adekuate pa vonesë. Ne presim që të dyja të diskutohen gjatë takimit të ardhshëm të dialogut të nivelit të lartë në Bruksel më 27 shkurt 2023.
Ne besojmë shumë në udhëheqjen tuaj personale që të përpiqeni në mënyrë konstruktive për një përfundim dhe zbatim të shpejtë të kësaj marrëveshjeje. Ne jemi të bindur se kjo është e një rëndësie thelbësore për të mirën e përgjithshme të qytetarëve tuaj, për zhvillimin paqësor dhe të begatë të rajonit dhe për avancimin e perspektivës evropiane të vendit tuaj.
I Juaji sinqerisht,