Ahmeti: Në raste më ekstreme erërat mund të shkaktojnë rrezikim të jetës së njerëzve
Ahmeti: Në raste më ekstreme erërat mund të shkaktojnë rrezikim të jetës së njerëzve
Erërat e forta që filluan nga mëngjesi i të shtunës, hyjnë në kategorinë e fatkeqësive natyrore dhe si të tilla janë mjaftë të rrezikshme e të shkaktojnë dëme, por në këtë mënyrë mund të rrezikojnë jetën e vet qytetarëve të vendit.
Kështu ka thënë drejtori ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) dhe njohësi i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh, Tahir Ahmeti, i cili theksoi se qeveria duhet të mendojë që në një plan afatgjatë të dijë që të menaxhojë me këto fatkeqësi, qoftë në ndarjen e mjeteve apo pakësimin e këtyre fatkeqësive natyrore.
Ahmeti tha se në raste më ekstreme erërat mund të shkaktojnë rrezikim të jetës së njerëzve, qoftë nga shkulja e drunjtëve apo e shtyllave elektrike.
“Edhe këto fenomene natyrisht hyn në kategorinë e fatkeqësive natyrore dhe si te tilla janë mjaftë të rrezikshme dhe mund të shkaktojnë dëme të mëdha. Duke filluar nga dëmtimi i shtëpive, pullazeve, pastaj dëmtimi i kulturave bujqësore, dëmtimi i objekteve të ndryshme dhe në raste më ekstreme ato mund të shkaktojnë rrezikim të jetës së njerëzve, qoftë nga shkulja e drunjve, e shtyllave elektrike apo edhe nga ndonjë objekt që mund të bie nga lartësia dhe në këtë mënyrë mund të rrezikojë edhe jetën e qytetarëve”, theksoi Ahmeti.
Sipas tij, instituti si institucion ligjor është i obliguar që t’i njoftojë qoftë institucionet apo qytetarët në mënyrë që të kenë kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve të tyre.
“Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës është i obliguar ashtu si edhe bënë në të shumtën e rasteve kur ka ndryshime nga këto fenomene hidrometeorologjike të bëjë lajmërimin e duhur në mënyrë që qytetarët të ruhen nga këto erëra. Pra, instituti si institucion ligjor, është i obliguar që t’i njoftojë qoftë institucionet apo qytetarët”, potencoi Ahmeti.
Mes tjerash, Ahmeti potencoi se qeveria duhet të mendojë një plan më afatgjatë për menaxhimin e këtyre fatkeqësive.
“Fatkeqësitë natyrore janë fenomene që ndodhin në çdo vend dhe si të tilla nuk mund t’i parandalojmë. Mirëpo, sigurisht se qeveria duhet të mendojë që në një plan afatgjatë të dijë që të menaxhojë me këto fatkeqësi, qoftë në ndarjen e mjeteve apo pakësimin e këtyre fatkeqësive natyrore. Ndërsa tek institucionet lokale, drejtoritë komunale të emergjencave duhet të gjitha të bëjnë rishikimin e planit të emergjentëve në mënyrë që të vlerësohet rreziku, se ku mund të vije, qoftë nga erërat apo fatkeqësi tjetër “, tha mes tjerash Ahmeti.
Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka bërë të ditur se për shkak të erërave të forta që dje në mëngjes kapluan një pjesë të konsiderueshme të Kosovës, janë shkaktuar disa dëme në rrjetin elektro-energjetik, si në largpërçues dhe në shtylla elektrike.
Ndërkaq, siç bëjnë të ditur nga KEDS-i, rajonet më të prekura janë Peja, Mitrovica, Prishtina dhe Ferizaj.