TË FUNDIT

Kurti: Nuk e humbim rrugën për sa kohë që rruga jonë ndriçohet nga pishtarë si Adem Demaçi e Astrit Dehari

Kurti: Nuk e humbim rrugën për sa kohë që rruga jonë ndriçohet nga pishtarë si Adem Demaçi e Astrit Dehari

Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur mbledhjen e 50-të të Këshillit të Përgjithshëm ku u votuan edhe anëtarët e komisioneve staturore të Lëvizjes. Ky proces shënoi edhe përmbylljen e plotë të zgjedhjeve të brendshme të këtij subjekti.

Në këtë mbledhje, fjalim ka mbajtur kryetari i VV-së, Albin Kurti, i cili përkujtoi Adem Demaçin e Astrit Deharin meqë sot kishin ditëlindjen.

Për Deharin, Kurti tha se është viktimë e padrejtësisë kriminale në burgjet e Kosovës së pavarur.

‘’Sot është data 25 shkurt, e nesër, në 26 shkurt është ditëlindja e dy personave të veçantë për të gjithë ne. Janë dy persona me shumë vite dallim nga njëri-tjetri, me histori jetësore e me kontribut shumë të ndryshëm, por që koincidojnë të kenë datëlindjen e njëjtë por edhe inicialet e njëjta, A. D. E kam fjalën për Tribunin e çështjes shqiptare, viganin e rezistencës shqiptare në burgjet jugosllave e serbe, Adem Demaçin, dhe për shokun e aktivistin tonë të dashur, Astrit Deharin, viktimë e padrejtësisë kriminale në burgjet e Kosovës së pavarur”, ka thënë Kurti.

Kurti shtoi se Demaçi e Dehari janë busulla e Lëvizjes Vetëvendosje dhe “për sa kohë që të jetojë kujtimi i tyre në zemrat tona, për aq kohë do të jehojë edhe Lëvizja”.

Në këtë fjalim, kryeministri kërkoi drejtësi për Astrit Deharin.

“Nuk e humbim rrugën, për sa kohë që rruga jonë ndriçohet nga pishtarë si ata. Lavdi dhe nderim, për udhërrëfyesin kombëtar, Adem Demaçin. Kujtim dhe drejtësi, me çdo kusht e deri në fund, për shokun tonë, Astrit Deharin’’.

Së fundi, rasti i Astrit Deharit çoi në përplasje në Kuvend mes deputetit të PDK-së, Hisen Berisha dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Berisha tha se nuk është në interesin e Vetëvendosjes e as Qeverisë zbardhja e rastit të Astrit Deharit, deklaratë për të cilën pati një kundërshti të ashpër nga ana e ministres.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *