Ardita Sinani për financimin në SHBA: Qeveria po tregon vendosmëri për Luginën
Vendimin e Qeverisë së Kosovës, për ndarjen e 40 mijë dollarëve për liderët e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka përshëndetur ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, duke e konsideruar këtë si veprim të Kosovës që edhe Lugina të jetë në agjendë të bisedimeve.
“Edhe një lajm i mirë për Luginën e Preshevës nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, është miratuar ndarja e mjeteve për vizitën e delegacionit nga Lugina për në Senatin Amerikan”, ka shkruar Sinani, që njëherësh është edhe këshilltare e kryeministrit Albin Kurti për çështjen e Luginës.
Me këtë vendim, sipas saj, dëshmohet edhe një herë vendosmëria e Republikës së Kosovës, “për përfshirjen e Luginës së Preshevës në agjendën e bisedimeve për zgjidhjet e mëtejshme për Ballkanin Perëndimor nën frymën dhe parimin e reciprocitetit të të drejtave për pakicat në dy shtetet”.