Vrasja e të riut në Klinë, dëshmitari tregon se çka pa natën kritike
Vrasja e të riut në Klinë, dëshmitari tregon se çka pa natën kritike
Në gjykimin ndaj të akuzuarit Fatlum Deliu, i cili po akuzohet për vrasjen e tani të ndjerit V. B, dëshmitari Taulant Berisha, tha se e kishte parë viktimën kur ishte rënë në tokë pas gjuajtjeve.
Këtë deklarim dëshmitari Berisha e bëri në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Pejë, i cili tha se natën kritike kishte qenë tek lokali “Day by Day”, me vëllan e tij, dhe në një moment afër lokalit kishte dëgjuar katër persona të fjalosen mes vete, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tij, pas disa minutave, dy nga ta kishin vrapuar nga drejtimi i bankës NLB, dhe dy të tjerë kishin hipur në veturë.
Dëshmitari, lidhur me ngjarjen tha se ishte duke u dal nga kafiteria kur e ka dëgjuar dy të shtëna, ku sipas tij, me dëgjimin e të shtënës së parë njëri nga dy personat që kishin vrapuar në drejtim të bankës kishte rënë në tokë dhe tjetri kishte ikur në drejtimin tjetër.
Personat tjerë pas gjuajtjes, dëshmitari tha se kanë hipur në veturë dhe janë nisur në drejtimin tjetër kah Policia.
“Personi i vrarë ka qenë përballë lokalit ku isha ulur tek disa shkallë të objektit “Bonita” dhe vendi ku u panë personat duke u fjalosur dhe vendi ku ka rënë personi kanë qenë afër”, tha dëshmitari Berisha.
Tutje, ai shtoi se viktima kishte qenë i shtrirë afër veturës së tij të parkuar përballë lokalit, e që pastaj disa persona i kanë kërkuar që ta largonte veturën nga aty, e ku sipas tij, i njëjti më pas kishte vazhduar për në shtëpi e që të nesërmen e kishte vërejtur se vetura e tij ishte dëmtuar nga plumbat.
Pas dëgjimit të dëshmitarit, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, bëri të ditur se të ftuar kanë qenë edhe ekspertet e balistikes dhe AND-së, por sipas arsyetimit të eksperteve ata kanë ngatërruar datën.
Nga këto gjykata e vlerëson dëgjimin e domosdoshëm të ekspertëve që të sqarohen lidhur me provat dhe që nuk janë ekzaminuar asnjëherë rrobat e të pandehurit e në veçanti kërkojnë të zmadhohet dhe të qartësohet pamja e video-incizimeve.
Seancat e radhës u caktuan me 20 dhe 21 prill të këtij viti.
Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 4 korrik 2022 nga Prokuroria e Pejës, i pandehuri Falum Deliu ngarkohet se më 16 qershor 2021, në Klinë ka privuar nga jeta V.B., dhe me dashje ka vënë në rrezik jetën e personave tjerë për shkak të një mosmarrëveshje të vazhdueshme për rreth një javë që kishin me Valdrin Balaj, vëllain e tani të ndjerit V.B.
Sipas aktakuzës i pandehuri kishte qenë nën shoqërimin e vëllait të tij të mitur dhe vërejnë vëllezërit V.B dhe Valdrin Balaj, ku pastaj i pandehuri nga brezi nxjerr revolen e tij të tipit “M57” dhe në distancë rreth 20 m shtie tri herë në drejtim të viktimës duke e goditur atë me një predhë në pjesën e pasme të kokës dhe duke e rrezikuar edhe jetën e V.B.
Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal.
Po ashtu i pandehuri ngarkohet për armëmbajtje pa leje dhe atë pistoletë të llojit “M57”, një karikator dhe katër fishekë.
Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të KPRK-së.
Kurse, i mituri R.D., sipas Prokurorisë ngarkohet për përdorim të armës dhe armëmbajtje pa leje, pasi thuhet se kur vëllai i të ndjerit kishte filluar të ikte, kishte shtënë më armë në ajër sepse frikësohej se mund të sulmohej.