TË FUNDIT

‘Nuk shoh se si Kosova do ta bënte Asociacionin pa marrë paraprakisht njohjen ‘de facto’

“Nuk shoh se si Kosova mund të pajtohet të njohë një Asociacion të Komunave të banuara me shumicë serbe që do t’ia shkelte sovranitetin para se të merr njohjen de facto të sovranitetit dhe integritetit territorial nga Serbia”.

Kështu vlerëson profesori amerikan dhe eksperti i çështjeve politike të Ballkanit, Daniel Serwer, në një përgjigje për Insajderin, pyetur se si e sheh çështjen e Asociacionin në bisedimet që do të zhvillohen në takimin e Nivelit të Lartë në Bruksel më 27 shkurt në Bruksel.

Presioni ndërkombëtar është i rëndë e veçanërisht ky presion po rëndon mbi Kosovën, thotë profesori Serwer. Megjithatë, në gjykimit e tij, liderët s’kanë gatishmëri për një marrëveshje.

“As Presidenti Vuçiq e as Kryeministri Kurti nuk duket të jenë gati për një marrëveshje serioze”, thotë Daniel Serwer për Insajderin. Megjithatë, ai pezullon një gjykim përfundimtar derisa shton se “duhet të presim e të shohim çfarë do të të ndodhë”.

Ishte ndërmjetësi sllovak, Miroslav Lajçak, ai i cili tha se pret që të hënën palët të pranojnë propozimin evropian, dhe se me t’u pranuar ajo zyrtarisht, “do të bëhen [ligjërisht] e detyrueshme për të dyja palët”.

Në një intervistë për agjensionin serb të lajmeve “Tanjug”, Lajçak tha se “për të gjithë është e qartë se nuk i thuhet ‘Jo’ BE’së dhe ShBA’së” në lidhje me planin evropiano-amerikan.

“Refuzimi i planit për normalizim do të nënkuptonte refuzim të normalizimit […] Tash as s’dua të flas se cilat do të ishin pasojat negative”, tha Lajçak, derisa shtoi se pret që të hënën të çelet rruga para për një marrëveshje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se më 27 shkurt pret që çështja e Asociacionit të jetë e rëndësisë primare, “ose: faleminderit, kaq ishte”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në anën tjetër, çështjes së Asociacionit ia ka vendosur “gjashtë kushte”, prej të cilave thotë se ajo do të mund të zbatohej vetëm pas njohjes nga Serbia dhe në kuadër të planit evropian, por assesi t’i paraprijë asaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *