Berisha nervozon deputetët e VV-së: Për të zbardhur rastin e Astritit, duhet të hetohet edhe vetëvrasja e Arbënorit
Berisha nervozon deputetët e VV-së: Për të zbardhur rastin e Astritit, duhet të hetohet edhe vetëvrasja e Arbënorit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka nxitur reagime të shumta në Kuvendin e Kosovës pasi që në seancën e sotme ka përmendur vdekjen e dy aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbnor e Astrit Dehari.
Në fjalën e tij, Berisha ka deklaruar se është interes i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, që ky rast të mos zbardhet, shkruan lajmi.net.
“Interesi i politikës në këtë rast Qeverisë, Lëvizjes Vetëvendosje, është që ky rast të mos zbardhet. Andaj ky rast nuk është zbardhur që nga viti 2019, prej kur Vetëvendosje ka ardhur në pushtet”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka thënë se për tu zbuluar rasti Dehari, janë dy parakushte.
“Parakushti i parë për me u zbardh rasti i Astritit, duhet të zbardhet rasti i sulmit terrorist ndaj Presidencës. Parakushti i dytë është të zbardhet rasti i vetëvrasjes së Arbënorit (vëllait të Astritit). Cilat ishin motivet që shtynë në vetëvrasje. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk është përmendur ky rast, por duhet të diskutohet”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka thënë se nuk e di cili është motivi që rrugët në kryeqytet të emërohen në emër të vëllezërve Dehari.
“Indikative mbetet po ashtu edhe emërimi i rrugëve të Prishtinës me mbiemrin e vëllezërve Dehari. E unë e pyes se cili ishte roli i tyre? A e bëtë për heshtjen e familjes duke tentuar t’i fusni në histori? Së fundi ndodhi edhe vjedhja e mostrave dhe në vend që ministrja të marr përgjegjësi, që i bie tavolinës, ajo filloi me akuzu prapë opozitën. Më vjen keq që e hap këtë temë para bacës Avni, por e di që Astriti ishte kundër marrëveshjeve që ju sot po i diskutoni”, ka deklaruar Berisha.
Deklaratat e Berishës kanë nxitur reagime të shumta të deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë filluar të përplasin tavolinat në Kuvend për të penguar fjalën e deputetit të PDK-së. /Lajmi.net/