POLITIKATË FUNDIT

Peach takon krerët institucionalë të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten, më 5 janar, të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka njoftuar Zyra e Presidentes së Kosovës.

Në njoftim thuhet se Peach është njoftuar nga presidentja Osmani lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. Ajo ka theksuar përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve të vendit për paqe dhe siguri.

Gjithashtu, është thënë se Kosova vazhdon të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë dhe në këtë kontekst, presidentja Osmani ka kërkuar “përfshirje më të madhe të Britanisë së Madhe si një anëtare kyçe e NATO-s dhe një partnere historike e Kosovës”.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova në vazhdimësi është palë konstruktive në raport me dialogun me Serbinë, porse pala serbe nëpërmjet përpjekjeve për destabilizim të Kosovës përpiqet ta zhvendosë fokusin nga dialogu”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Në këtë frymë, siç thuhet në njoftim, presidentja Osmani ka kërkuar që ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë, “bashkësia ndërkombëtare ta mbajë një qëndrim unik duke dënuar veprime e tilla dhe duke mos bërë barazimin e palëve kur dihet qartë se kush është agresori”.

I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, në pasditen e së enjtes është pritur në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Zyra e kryeministrit Kurti ende nuk ka dhënë detaje lidhur me takimin.

Stuart Peach është emëruar i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor në dhjetor të vitit 2021.

Asokohe, ish-kryeministri britanik , Boris Johnson tha se emërimi i Peach është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe paqe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

ARTIKUJ TË NGJASHËMMË SHUMË NGA AUTORI


Kosovë-Shqipëri

Policia arreston dy persona për sulmin ndaj 20-vjeçarit në Han të Elezit


Kosovë-Shqipëri

Bastisje në “Kobra City”


Kosovë-Shqipëri

NATO: Aktualisht kemi prezencë të mjaftueshme në Kosovë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *