Policia hap konkurs për pranimin e policëve të rinj në veri
Policia e Kosovës njoftoi për hapjen e konkursit për pranimin e policëve të rinj në Drejtorinë Rajonale Mitrovicë Veri.
Në pjesën veriore të shtetit – të banuar me shumicë serbe – qindra zyrtarë policorë serbë dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me targat e makinave.
Kosova dhe Serbia në ndërkohë arritën marrëveshje për targat, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në njoftimin e Policisë thuhet se kërkohen policë nga të gjitha minoritetet që jetojnë në Kosovë (serb, boshnjak, malazez, turk, goran, rom, ashkali, egjiptas, kroat dhe maqedonas). Konkursi do të jetë i hapur deri më 26 janar.
Vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 28 dhjetor 2022, u bëri thirrje serbëve që të aplikojnë për vende pune në institucionet e Kosovës.
“Zbrazëtinë që ekziston brenda institucioneve tona të përbashkëta pas dorëheqjes kolektive dhe kryesisht të detyruar, të disa qindra serbëve, ne nuk duam ta mbushim me shqiptarë”, deklaroi Kurti.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – kishte njoftuar se serbët do të tërhiqeshin nga institucionet e Kosovës në fillim të nëntorit të vitit të kaluar. Atëbotë, dorëheqje dhanë edhe gjyqtarët, prokurorët dhe personeli tjetër nga radhët e komunitetit serb. Po ashtu, u dorëhoqën edhe zyrtarët e Listës Serbe nga institucionet lokale dhe qendrore, përfshirë Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.
Që nga dorëheqja e zyrtarëve policorë serbë në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – policia ka njoftuar se ka dërguar atje zyrtarë të rendit nga rajone të tjera.
Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) deklaroi më 31 dhjetor se për shkak të dorëheqjeve në veri, ka vakum të sigurisë, duke kërkuar që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës./REL