Agroturizmi, trendi i pushimeve për festat e fundvitit në Shqipëri
Investimet në rritje për ndërtimin e pikave të reja agroturistike, tashmë në çdo rajon rural të vendit, kanë rritur trendin e vizitorëve vendas dhe të huaj për t’i frekuentuar ato si destinacione jo vetëm të fundjavës por edhe festave të ndryshme, siç ishte edhe festa e Vitit të Ri.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha për ATSH-në, se, “fshati po shndërrohet gradualisht në destinacionin më të preferuar për pushimet e fundjavave dhe i eksperiencave ndryshe për turistët e huaj, që po vijnë gjatë gjithë vitit”.
Sipërmarrjet agroturistike me mbështetjen financiare nga qeveria dhe programi IPARD kanë ndërtuar investime dinjitoze, ku përveç ofrimit të një Shqipërie tjetër që po zhvillohet ofrojnë dhe një menu origjinale tradicionale me prodhime të zonës, që përbën alternativën më të kërkuar dhe ekonomike për çdo vizitor vendas dhe të huaj.
Ministrja Krifca tregon se, politika dhe strategjia e re për agroturizmin në Shqipëri, nisi nga viti 2018 dhe sot numri i pikave agroturistike, njëra më e bukur se tjera, kjo e mbështetur edhe nga gjeografia dhe bukuritë që bartin zona të ndryshme të vendit, është rritur në mënyrë të shpejtë dhe ky sektor po udhëhiqet nga konkurrenca e tregut.
“Politika për mbështetjen e agroturizmit shihet mjaft pozitive, duke vlerësuar se zgjerimi i agroturizmit dedukton drejtëpërdrejtë bujqësinë, blegtorinë, artizanatin, përpunimin duke sjellë përfitime domethënëse në rritjen e ekonomisë lokale dhe punësimin”, tha Krifca, teksa shtoi se këtë vit ka një numër të shtuar qytetarësh që po frekuntojnë agroturizmat për të kaluar festat e Fundvitit.
Fshati mbetet alternativa më ekonomike në atë çfarë ofron. Investimet për subjektet e reja do të vazhdojnë teksa ata që e kanë mbyllur këtë cikël, po fokusohen te rritja e cilësisë.