Rama uron Vitin e Ri: Ndjesë nëse kam gabuar
Kryeminstri Edi Rama ka uruar shqiptarët për Vitin e Ri. Përmes një video-mesazhi, Rama ka uruar që 2023-shi të jetë një kohë për paqe e me dashuri.
Kreu i qeverisë ka kërkuar falje, nëse ka gabuar apo nuk ka folur siç duket, duke nënvizuar se ka bërë aq sa ka mundur.
“Sonte nuk kam një mesazh tradicional, kjo është nata e familjes suaj, miqve e të afërmve tuaj dhe mua më keni pasur thuajse çdo ditë në shtëpi. Ju kërkoj ndjesë nëse e kam tepruar, nëse s’kam folur si duhet, nëse kam gabuar, shumë ndjesë! Kam bërë si çdo vit gjithë sa kam mundur, por jo gjithçka kam dashur, të mundesha më shumë s’e kisha lënë pa bërë. Ka qenë një tjetër vit tejet i vështirë, të cilin inflacioni i luftës dhe çmendja e çmimit të energjisë e kanë bërë një vit të zymtë për mbarë Europën. Kemi pasur sidoqoftë edhe ditë të mira – mes tyre edhe ditë historike, si finalja e parë europiane e futbollit në Shqipëri apo Samiti i parë i BE-së jashtë kufijve të Bashkimit Europian, pa harruar momentin kulmor të shumëpritur, çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian. Po me punët e me progresin e bërë gjatë këtij viti nuk po ju marr asnjë minutë nga mbrëmja e sotme. Qoftë Viti i Ri një kohë për paqe, për dashuri e për plot të qeshura për ju, familjen dhe miqtë e të afërmit tuaj! Zoti e bekoftë Shqipërinë”, ka thënë Rama ndër të tjera/Euronews.