EULEX-i mirëpret uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, thotë se po monitoron rastin e Pantiqit
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka mirëpritur uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë në katër komunat veriore pas heqjes së barrikadave ilegale.
EULEX thekson se prej ditës kur u vendosën barrikadat deri në ditën e largimit të tyre i mbështeti institucionet e sundimit të ligjit të Kosovës në ruajtjen e stabilitetit të Kosovës dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me KFOR-in.
“Prej fillimit të nëntorit, EULEX-i iu përgjigj kërkesave zyrtare të Policisë së Kosovës duke:
i shtuar ndjeshëm patrullat vëzhguese të tij 24/7 dhe duke i filluar patrullimet në këmbë nga pjesëtarët e Njësisë Policore të Specializuar dhe Njësisë Policore të Specializuar Rezervë të tij në pjesën veriore të Kosovës për ta monitoruar nga afër situatën e sigurisë në terren.
dërguar furnizime esenciale për policët e Policisë së Kosovës në Pikë-kalimin e Përbashkët në Jarinjë më 17 dhjetor.
shoqëruar policët e rregullt të Policisë së Kosovës për ta bërë ndërrimin dhe zëvendësimin e policëve të rregullt në stacionin policor në Leposaviq më 24 dhjetor”, thuhet në njoftim.
Në njoftim po ashtu thuhet se në përputhje me mandatin e tij, i cili parasheh një monitorim të fuqishëm të gjithë zinxhirit të drejtësisë, EULEX-i është duke e monitoruar nga afër edhe rastin e Dejan Pantiq, për të vlerësuar se si është duke u trajtuar ky rast nga autoritetet e Kosovës.
Në veçanti, Misioni thekson se avokoi për mbrojtjen e të drejtave themelore të D. P. nga autoritetet e Kosovës, lehtësoi transportin e barnave të Pantiqit, kreu dy ekzaminime mjekësore më 17 dhe 24 dhjetor, me kërkesë të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës.
EULEX thekson se po ashtu ofroi mbështetje për Policinë e Kosovës për transferimin e D.P. në vendbanimin e tij më 28 dhjetor, pas një kërkese zyrtare të autoriteteve të Kosovës dhe në përputhje me vendimin për vendosjen e D.P. në arrest shtëpiak.
“Megjithatë, vakumi i sigurisë dhe i sundimit të ligjit i krijuar pas dorëheqjeve të policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe personelit mbështetës serb të Kosovës vazhdon. EULEX-i mund ta plotësojë këtë vakum vetëm pjesërisht përmes pranisë së shtuar në terren, por Misioni nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës apo ndonjë autoritet tjetër të sundimit të ligjit.
Prandaj, kthimi në marrëveshjet përkatëse të Dialogut që e rregullojnë integrimin në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor është esencial”, shkruan në njoftim.
Brenda kufijve të mandatit të tij, Misioni do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj.
“Për këtë qëllim, EULEX-i do t’i monitorojë nga afër hetimet përkatëse dhe çdo procedurë ligjore të mëvonshme për ta promovuar respektimin e të drejtave të njeriut.
Në këtë aspekt dhe që gjyqësori dhe policia e Kosovës ta mbështesin sundimin e ligjit dhe t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në mënyrë të pavarur sipas ligjit të Kosovës dhe të drejtës ndërkombëtare pa ndërhyrje apo frikësime politike apo të formave të tjera, është me rëndësi jetike që vendimet që merren nga gjyqtarë dhe prokurorë individualë, si dhe nga policia, në emër të institucioneve të tyre të kundërshtohen vetëm në aspektin e bazës së meritave ligjore të këtyre vendimeve”, thuhet në njoftim.