Bislimi: Putini nxit tensionet midis Kosovës dhe Serbisë
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi deklaron se presidenti rus, Vladimir Putin ka ndërhyrë në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me qëllimin që t’i largojë sytë e Perëndimit nga Ukraina. Ai pohoi se një qendër ruse me emrin zyrtar “Qendra Humanitare”, po furnizon ushtrinë serbe për ta sulmuar Kosovën gjatë natës.
Bislimi për Times Radio tha se Rusia ka tendencë ta deviojë ose shpërqendrojë fokusin nga Ukraina duke hapur zona të reja konflikti.
“Ka prova të regjistruara se njerëzit në grupe paraushtarake po përkrahen nga një qendër humanitare ruse. Kështu që mendoj se askush nuk po e mohon prezencën dhe ndikimin e Rusisë. Dhe, nëse ka më shumë detaje për të kuptuar se sa lehtë Rusia mund ta përdorë këtë për konflikte, tregojnë sulmet e fundit të këtyre trupave në Kosovë që filluan gjatë natës, me njerëz të stërdehur brenda barrikadave, sepse ata po furnizohet me sasi të mëdha të alkoolit, mjete financiare dhe të gjitha këto përmes “Qendrës Humanitare“, thotë Bislimi, raporton portali britanez “Express”.
Bislimi dha këtë deklaratë, pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha në mbrëmjen e të mërkurës se serbët do t’i largojnë barrikadat në Kosovë të enjten si lëvizje për uljen e tensioneve që nxitën frikë të një konflikti në Ballkan.
Vuçiq tha se kjo marrëveshje u arrit në mbrëmjen e vonshme të së mërkurës gjatë takimit me përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës.
Marrëveshja u arrit, pas lirimit të një ish-oficeri serb të veriut, paraburgimi i të cilit kishte nxitur kriza ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilat shkaktuan shqetësime te ndërkombëtarët. Ai u lirua nga burgu dhe u vendos në arrest shtëpiak.
Arrestimi i ish-oficerit policor, Dejan Pantiq, më 10 dhjetor, nxiti protesta nga serbët e Kosovës, të cilët ngritën barrikada në veri të vendit.
Pantiq u burgos për terrorizëm pasi sulmoi një polic gjatë një proteste të mëparshme.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kritikoi vendimin e gjyqit për ta liruar Pantiq në arrest shtëpiak.
“Jam kurioz ta di se cili ishte ai prokuror që bëri kërkesë dhe ai gjyqtar që miratoi vendimin që ta lirojë dikë me akuza për terrorizëm në burg shtëpiak”, tha Kurti në konferencë për media.