Paralajmërohet vetting edhe për Policinë e Kosovës
Përveç gjykatësve e prokurorëve, në procesin e vettingut do të përfshihet edhe Policia e Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë raportimit para Komisionin Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar, të martën, ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme ka krijuar grupin punues dhe po punon në koncept-dokumentin për vettingun në institucionet kyç të sigurisë.
“Vettingu në sistemin e sigurisë kjo është me lehtë proceduralisht siç e dini ne e kemi në programin qeverisës edhe vettingun në Polici por aty në nivelet më të larta dhe institucionet më të ndjeshme”, ka thënë Haxhiu.
Dosja për procesin e vettingut, e cila është dorëzuar në shtator në Kuvendin e Kosovës, sipas Haxhiut, përbëhet nga nëntë dokumente, ku pjesa kryesore është ajo e draftit me amendamente kushtetuese.
“Sa i përket dokumenteve të tilla konsideroj edhe njëherë se e kemi të nevojshme një sqarim marr parasysh që ka pas keqkuptime të shumta disa të qëllimshme e disa duke mos pasur informacioneve më lejoni ta sqaroj se dokumenti më i rëndësishëm në këtë dosje është drafti i amandamenteve kushtetuese, të cilat si drafte paraprake janë vlerësuar dhe rishikuar nga Komisioni i Venecias, Komisioni i ka mirëpritur ndryshimet e bëra në këto amandamente”, është shprehur Haxhiu.
Haxhiu u pyet nëse Qeveria ka insistuar te Komisioni i Venecias për një vetting më gjithëpërfshirës.
“A po punon nuk ka nevojë të na tregoni veprime konkrete por a ka filluar të punoj qeveria dhe MD që t’i sigurojmë votat e domosdoshme për kalimin e amendamenteve kushtetuese”, ka thënë deputetja e LDK-së, Doarsa Kica.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thekuar se vettingu është një ndër proceset më të rëndësishme për vendin.
“Konsideroj se vettingu në sistemin e drejtësisë nuk është i mjaftueshëm, unë mendoj se ky vetting duhet t’i përfshijë edhe institucionet e sigurisë gjithmonë duke pasur parasysh edhe hallkën që iu lidh institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë”, ka deklaruar Qalaj.
Haxhiu ka thënë se Qeveria ka bërë përpjekje maksimale që të shtyhet përpara rekomandimi i Qeverisë për vettingun në sistemin e drejtësisë për gjithë gjyqtarët dhe prokurorët.
Ministrja Haxhiu gjithashtu ka theksuar se për sigurimin e votave për të votuar ndryshimet kushtetuese në Kuvend duhet përveç mbështetjes së deputetëve edhe ajo e ndërkombëtarëve.