POLITIKATË FUNDIT

Zeqiri ngre dyshime për KFOR-in: Këtu dikush ka një qëllim të caktuar

Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka ngrehur dyshime për rolin e ndërkombëtarëve lidhur me gjendjen e krijuar prej 11 ditësh në veri të vendit.

Zeqiri në Interaktiv të KTV-së ka thënë se mund të fshihet diçka prapa hezitimit të KFOR-it për të asistuar që policët në Leposaviq e Jarinjë të ndërrohen me të tjerë.

Ai ka thënë se KFOR-i, EULEX-i dhe QUINT-i nuk po shprehin një gatishmëri “që të na asistojnë apo të na lejojnë të bëjmë ndërrimin e zyrtarëve policorë”.

Ka shtuar se Policia është duke bërë përditë kërkesa për ndërrime, porse nuk po merr përgjigje konkrete.

“PK është duke bë kërkesa çdo ditë, ndoshta 3 herë në ditë për ndërrime. Le të aprovohen kërkesat e menaxhmentit të policisë, nëse do aprovoheshin, zyrtarët nuk do mbesnin 11 ditë pa u ndërruar”.

Kur është pyetur nëse KFOR-i qëllimisht nuk po e ndihmon Policinë e Kosovës në këtë pikë, ai është përgjigjur se prapa kësaj mund të fshihet diçka.

“Është mendim i imi personal, prapa kësaj mund të fshihet diçka. Ne jemi njerëz, edhe ata janë njerëz. Cila është ajo që po dëshirojnë ata të krijohet krizë humanitare në atë pjesë, sepse jo vetëm zyrtarët por edhe qytetarët janë në gjendje të keqe, dhe cilido që do kërkonte ndonjë ndihmë për ndonjë urgjencë është e pamundshme t’i ofrohet ndihmë dhe me këtë shëndeti i tyre është në rrezik”.

Nëse KFOR-i po e bën këtë qëllimisht, Zeqiri thotë se ai do të duhej të dilte me deklaratë publike për t’i dhënë përgjigje policisë nëse nuk ka qëllim tjetër.

Kur është pyetur nëse po shpreh dyshime për KFOR-in, Zeqiri është përgjigjur se “ka vend për t’i shprehur këto dyshime” për shkak të policëve që gjenden që 11 ditë në veri dhe nuk ka afat se kur mund të bëhet ndërrimi.

“Nëse nuk po e bën qëllimisht, le të dalin me deklaratë publike sepse ne kemi kërkuar me urgjencë të na asistohet në ndërrim. Përgjigjen e ka marrë menaxhmenti policor që ‘pritni edhe pak’. Janë bërë 11 ditë, që është shkelje e të drejtave të njeriut dhe punës. Kushdo që heziton në këtë drejtim, athua mendojnë se do bartin edhe përgjegjësi”.

“Kur është në pyetje humaniteti njerëzor, del se dikush ka një qëllim apo thënë ndryshe kush në këtë rast po përkëdhelet. Ata që i kanë vendosur barrikadat janë grupe ilegale. Po ta bënin shqiptarët, kudo në cilëndo rrugë të Kosovës ta bllokonin dhe ta kuptonte KFOR-i, është shumë 2 orë që ata do ta zhbllokonin çdo rrugë. Tani në këtë rast, kush po favorizohet e kush po përkëdhelet. Unë nuk besoj që në asnjë shtet demokratik ka privilegje pakica ashtu siç ka pakica serbe në Kosovë, nuk paguajnë asnjë taksë, as rrymën që e harxhojnë. Tani kjo e fundit, po sakrifikohet një pjesë e vendit, Kosovës, një pjesë e zyrtarëve dhe një pjesë e banorëve dhe hezitimi i ndërkombëtarëve të çon për të dyshuar se këtu dikush ka një qëllim të caktuar”.

Zeqiri ka thënë se policët në detyrë në veri kanë rezerva të bollshme ushqimi, ndërsa tha se ushqim u është dërguar edhe nga ndërkombëtarët, ashtu si edhe veshmbathje.

Zeqiri: Është dashur që Policia të ketë helikopterë, zyrtarët tanë janë 11 ditë pa ndërrim

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se është dashur që Policia të ketë së paku dy helikopterë.

Ai ka thënë se po të kishte helikopterë, policët e Kosovës nuk do të qëndronin 11 ditë rresht në Jarinjë e Bërnjak pa ndërrime.

Ai ka thënë se edhe ushtarët e KFOR-it po qëndrojnë në Jarinjë e Leposaviq, porse KFOR-i e ka bazë në Leposaviq dhe se ndërrimet po i bën me helikopter.

“Në realitet, ne si Sindikatë kemi bërë shumë kërkesa, drejtuar Qeverisë për të përmirësuar shumë kushte e nevoja në Polici. Ndër të tjera si Sindikatë nuk jemi të kënaqur me buxhetin e caktuar për Policinë. S’ka pasur rritje që duhej të kishte. Jemi institucioni i vetëm i sigurisë, pa e përjashtuar FSK-në e që e dimë se e kemi ende me kompetenca të kufizuara, dmth jemi institucioni i vetëm i sigurisë. Kemi kompetenca kushtetuese me vepru në gjithë territorin e Kosovës. Të mendojmë për të ardhmen, të dyfishohet buxheti i Policisë dhe të bëhemi edhe ne me mjete logjistike të nevojshme. Një apo dy helikopterë duhej të kishte Policia e Ksoovës, 23 vjet pas lufte. Jo vetëm për veriun, por edhe për situatat tjera. Po të kishim helikopterë, zyrtarët policorë tanë nuk do të ishin për 11 ditë pa ndërrim në detyra të tyre”, ka thënë Zeqiri në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës vazhdon të jetë e diskriminuar, ndërsa ka përmendur faktin se ende nuk ka sigurim shëndetësorë për policët.

Zeqiri ka thënë se janë bërë kërkesa te institucionet dhe madje është bërë edhe propozimi për sigurime shëndetësore, që me “5 milionë euro në vit do të siguroheshin 9200 policë”, porse thotë se nuk ka marrë përgjigje konkrete nga krerët.

Ai po ashtu ka treguar se është bërë kërkesë edhe për një shpërblim të policëve për fundvit me një pagë shtesë. Ai ka thënë se ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ia ka treguar edhe shqetësimin për dorëheqjet vullnetare.

“Një zyrtar policor e ka pagën bazë 392 euro. Është në përfundim Ligji i Pagave. Dua të bëjë thirrje që të jenë të kujdesshëm e policët të kenë pagë të dinjitetshme. Është informuar ministri për dorëheqjet vullnetare në Policinë e Kosovës, nëse vazhdon kjo rrezikon të mbetet pa profesionistë. Dorëheqjet ndodhin për shkak të një page që nuk i mbulon as nevojat elementare”, tha Zeqiri.

ARTIKUJ TË NGJASHËMMË SHUMË NGA AUTORI


Kosovë-Shqipëri

Koka të krimit të organizuar dhe kontrabandistë, kush janë strategët e barrikadave në veri


Kosovë-Shqipëri

Berisha: Për marrëveshjen e detit me Greqinë ndërhyri Turqia


Kosovë-Shqipëri

Deputeti gjerman: Dënimi i Salih Mustafës, i ashpër

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *