POLITIKATË FUNDIT

Kosova planifikon blerjen e dronëve Bayraktar të Turqisë

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka konfirmuar të martën se Kosova po zhvillon punime për blerjen e dronëve Bayraktar që prodhohen nga Turqia.

Damka u pyet nga Anadolu Agency për qëllimin e Kosovës në armatosje, ndërsa konfirmoi se blerja e dronëve Bayraktar është agjendën e vendit.

“Sigurisht që çështja e dronëve me armë (SIHA) është edhe në agjendën tonë. Lidhur me këtë shteti ynë zhvillon punime çdo herë. Janë realizuar vizita. Presidentja jonë dhe ministri i Mbrojtjes i kanë vizituar dronët ‘Bayraktar’. Ky është proces afatgjatë. Çdo shtet dëshiron të ketë dronët (SIHA) në shtëpi, në magazinën e arsenalit të tij ushtarak”, ka thënë Damka.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në shkurt të këtij viti, kishte vizituar fabrikën e prodhimit të dronëve Bayraktar.

Shqipëria ndërkohë sot zyrtarizoi blerjen e tre dronëve të tillë.

Bayraktar, që në shqip do të thotë “Flamurtar”, është një dron relativisht i lirë, që për herë të parë ka fluturuar më 2014. Dronët e tillë të llojit TB2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.

Pavarësisht se çmimi i një Bayraktari TB2 nuk është bërë publik, më herët gjatë këtij viti ishte organizuar mbledhja e fondeve për të blerë dronë të tillë për Ukrainën dhe organizatorët e mbledhjes së këtyre fondeve kishin sugjeruar se 5 milionë euro janë të mjaftueshme për një dron.

Dronë të tillë Turqia ka përdorur në ato që i quan “operacione kundër terrorizmit” kundër militantëve kurdë.

Bayraktarët kanë pasur ndikim shkatërrues edhe gjatë konfliktit të vitit 2020 mbi rajonin e kontestuar të Nagorno Karabakut, kur dronët TB2 u përdorën nga Azerbajxhani kundër forcave etnike armene.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *