POLITIKATË FUNDIT

Bislimi: Ka pasur plan ruso-serb që të digjej pika kufitare e Jarinjës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ka pasur “plan ruso-serb” që të dielën, më 18 dhjetor, të digjej pika kufitare e Jarinjës, që lidh Kosovën me Serbinë.

Sipas Bislimit, nga të dhënat e institucioneve të sigurisë, del se “autori i vërtetë” i ngjarjeve në Jarinjë ishte presidenti rus, Vladimir Putin.

Ai tha se plani për djegien e pikës kufitare u parandalua nga institucionet e sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim “me partnerët perëndimorë, veçmas amerikanët”.

Në anën serbe të Jarinjës, më 18 dhjetor është mbajtur një protestë e thirrur nga grupet djathtiste serbe, në shenjë mbështetjeje ndaj barrikadave që disa serbë lokalë kanë ngritur në veri të Kosovës që nga 10 dhjetori.

“Pavarësisht se policia e Serbisë, dje u shfaq duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe, duke e parë se një gjë e tillë do t’iu dështonte”, shkroi Bislimi në Facebook.

Bislimi po ashtu tha se intensiteti i sulmeve hibride të Serbisë dhe Rusisë ndaj Kosovës “është rritur ndjeshëm”.

Protesta e grupeve djathtiste serbe u përshkua me incidente, pasi protestuesit bënë përpjekje të thyejnë kordonin policor.

*Video: Protesta e djathtistëve në Jarinjë

Në anën e kufirit të Kosovës dolën edhe pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Barrikadat në veri të Kosovës janë vendosur që nga 10 dhjetori, në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës.

Dejan Pantiq, sipas autoriteteve në Kosovë, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Për shkak të incidenteve të armatosura dhe vendosjes së barrikadave, autoritetet në Kosovë që nga 10 dhjetori kanë mbyllur përkohësisht dy pikat kufitare në veri: Jarinjë dhe Bërnjak./REL

ARTIKUJ TË NGJASHËMMË SHUMË NGA AUTORI


Kosovë-Shqipëri

Kurti: Ata që synojnë ta destabilizojnë Kosovën do të dështojnë


Kosovë-Shqipëri

Kur do të hiqen barrikadat në veri – deklarohet kryeministri Kurti


Kosovë-Shqipëri

Kolonë me automjete ushtarake të KFOR-it drejt Mitrovicës së Veriut, një helikopter e ndjek nga lart

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *