Pas dënimit të Calit, reagon Kurti: Çfarë mesazhi po u jepet ukrainasve që e luftojnë agresorin?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas dënimit me 26 vjet burg të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa. Kurti ka thënë se Mustafa ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për ta çliruar vendin e vet. Ai, verdiktin e Speciales, e ka quajtur indinjues.
Kurti ka kujtuar që masakruesi i tri familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, Sasha Cvetjani, i cili ka vrarë 16 civilë shqiptarë, është dënuar vetëm 20 vite dhe ka mbajtur burg vetëm 18 prej tyre.
“Masakruesi i familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, i cili vrau 16 civilë shqiptarë të papërfshirë në luftë, anëtari i njësitit famkeq që mori pjesë edhe në Masakrën e Srebrenicës ‘’Shkorpjonët’’, Sasha Cvjetani, u pat dënuar me vetëm 20 vite. Ai madje ishte liruar në vitin 2018, 3 vite e gjysmë para përfundimit të dënimit për siç thuhej “sjellje të mirë’’, edhe pse ka vrarë fëmijë që kanë qenë duke fjetur. Sasha Cvjetani ka qenë pjesë e rezervistëve të Serbisë, që u angazhuan për gjenocid në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Ndërkohë vetëm dje e kuptuam që ai para ca ditësh është arrestuar në Athinë të Greqisë si pjesë e një karteli të drogës”, ka shkruar Kurti.
Ndërkohë, ka shkruar Kurti, ka mijëra vrasës nga Serbia që kurrë nuk janë dënuar e as gjykuar për mizoritë që i kanë bërë në Ballkan.
“Vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të dhunuar seksualisht në Kosovë. I bie që secili prej të dënuarve serbë mesatarisht të ketë vrarë mbi 462 shqiptarë dhe të ketë dhunuar 770 syresh”, ka thënë kryeministri.
Sipas Kurtit, përkundër peshës së krimeve që kanë kryer serbët, ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se Sali Mustafa.
Ai ka thënë se verdikti i sotshëm është indinjues.
“E megjithatë ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se ai që iu dha sot Salih Mustafës, i cili ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet. Ky verdikt është indinjues. Cili është mesazhi që i jep ky verdikt ukrainasve që sot luftojnë kundër agresorit? Mbetem me shpresën se institucionet e pavarura drejtësisë do ta kuptojnë padrejtësinë dhe do të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit”, ka shkruar ai.
Kurti ka theksuar se lufta e çdo populli kundër pushtuesve e okupatorëve është e drejtë universale.
“Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal. Sot e gjithmonë jemi solidarë me luftëtarët dhe me UÇK-në tonë”, ka theksuar në fund Kurti. /GazetaExpress