POLITIKATË FUNDIT

Tetovë, Lëvizja Antibixhoz inicioi referendum që të largohen objektet e lojërave të fatit nga vendbanimet

Debati publik, foto: Nuhi Ganija
Debati publik, foto: Nuhi Ganija

Lëvizja Antibixhoz nga Tetova sot ka organizuar debat publik në të cilën u shpalos se do të iniciohet referendum lokal me qëllim që të pyeten qytetarët nëse duan që t’i largojnë objektet për lojëra të fatit nga vendbanimet. Ata thonë se ky hap është si pasojë e situatës alarmante në tërë shtetit. Kryetari i Komunës, Bilall Kasami e konfirmoi se Komuna do ta organizojë referendumin, njofton Portalb.mk.

“Menaxhimi qëllimisht i keq na solli në situatë që patjetër të mundemi të gjejmë mënyra dhe zgjidhje se si të tërhiqemi nga kjo situatë. Iniciativa për referendum rrjedh prej nesh, do të fillojmë nga Tetova dhe do të vazhdojmë me idenë në tërë qytetet dhe komunat tjera dhe njëherë e përgjithmonë të zgjidhet problemi me këto objekte të lojërave të fatit”, deklaroi Xhemal Abdiu nga Lëvizja Antibixhoz.

Profesori i Shkencave Juridike, Qebir Avziu, sqaroi se nëse Komuna e Tetovës organizon referendum të tillë, ai nuk do të jetë obligues për Qeverinë dhe Kuvendin, pasi shteti është me karakter unitar dhe ligjet vlejnë për tërë territorin.

“Referendum fakultativ mund të shpall Këshilli i Komunës, megjithatë e dimë se ai nuk është obligues për Qeverinë dhe shtetit, por vlerësoj se në mënyrë indirekte do të ketë ndikim pozitiv. Besoj që shumë qytetarët do të japin përgjigje negative dhe se nuk dëshirojnë të kenë lojëra të fatit në vendbanime. Vlerësoj se sadopak do të dërgohet një porosi edhe te komunat dhe qytetarët tjerë që të fillojnë të organizojnë referendume të tilla kur në tërë territorin e shtetit do të organizohet numër i madh i referendumeve kundër, atëherë do të mendojë mirë Qeveria nëse do të jetë për hapjen e kazinove”, deklaroi Avziu.

Kasami tha se pavarësisht gjendjes aktuale financiare në komunë, do të gjejnë mjete që ta organizojnë referendumin.

“Jemi në konsultim me ekspertët e çështjes që të gjejmë bazë ligjore që komuna të organizojë referendum. Sa i përket aspektit financiar sigurisht që për ne si pushtet lokal, edhe përkundër gjendjes financiare në të cilën ndodhemi, do gjejmë mënyrë dhe forcë që gjithë këtë aktivitet ta organizojmë”, tha kryetari Bilall Kasami.

Ndryshe që të organizohet referendum lokal, duhet që të sigurohen nënshkrimet e 20% të numrit të përgjithshëm të votuesve.

Lëvizja Antibixhoz disa herë organizoi protesta për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet, por pavarësisht ngritjes së zërit, autoritetet nuk i kanë zbatuar kërkesat e tyre.

Më 3 shtator, Portalb.mk informoi se propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese në lexim të parë i hartuar nga Ministria nga muaji qershor i vitit 2021 është në procedurë parlamentare, përkatësisht është në pritje për t’u shqyrtuar në Komisionin amë për financim dhe buxhet. Krahas ndryshimeve të propozuara, nga Ministria e Financave potencojnë se me Propozim ligjin është përcaktuar edhe distanca e objekteve ku lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese janë rregulluar të jenë së paku 500 metra larg institucioneve të arsimit.

S. B. Send an email 15:32, 14-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *