Sot u kërcënuan 15 shkolla në Shkup, alarmet përsëri rezultuan të rreme
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se alarmet e sotme për bomba në 15 shkolla në Shkup ishin të rreme. Nga kjo ministri thanë se janë bërë të gjitha kontrollet e nevojshme në lidhje me raportimet e sotme, të cilat në adresën e emailit kanë marrë mesazh me kërcënim për mjet shpërthyes dhe është konstatuar se këto janë të rreme, transmeton Portalb.mk.
“Menjëherë pas marrjes së denoncimeve, nga zyrtarët policor janë marrë masat për evakuimin e sigurt të objekteve dhe më pas janë kryer kontrolle të hollësishme nga grupet e inspektimit antiterror dhe është konstatuar se bëhet fjalë për kallëzime të rreme”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Sot rreth orës 08:30 në SPB Shkup u raportua se në adresat elektronike të 15 shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për mjet shpërthyes.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, dje tha se është pothuajse apsolutisht e pamundur të detektohet se nga vijnë njoftimet për bomba në shkolla, qendra tregtare, institucione shtetërore dhe autobuse.
“VPN-të janë rrjete private virtuale të hostuara në vende të huaja. Kjo është arsyeja pse ne punojmë me shërbimet partnere. Kjo është luftë hibride. Ministria e Brendshme punon intensivisht me shërbimet partnere. Po, ata komunikojnë çdo ditë. Me NATO-n dhe vendet e tjera me të cilat kemi bashkëpunim. Po bëhen analiza me shërbimet e sigurisë. Sa i përket masave, pas çdo raporti, ato duhet të zbatohen sipas protokollit, pa improvizim. Departamenti i Antiterrorizmit i kontrollon të gjitha shkollat që sa më shpejt të konstatohet se raportet janë të rreme”, tha Kovaçevski, duke kujtuar se në të gjitha vendet e rajonit, ekziston vlerësimi se bëhet fjalë për luftë speciale, gjegjësisht hibride, të cilat u bënë më të shpeshta me fillimin e luftës në Ukrainë, të gjitha me qëllim krijimin e panikut dhe destabilizimit.
Kryeministri u dërgoi edhe mesazh qytetarëve që të mos marrin pjesë në këto aktivitete.
“Situata e sigurisë në vend është stabile. Ministria e Brendshme kryen me sukses punën e saj për të garantuar sigurinë e çdo qytetari në vendin tonë. Sa i përket aktit monstruoz të njoftimit për bombë, i cili fillimisht filloi në autobusët në NTP, pastaj shkollat në Shkup dhe qytete të tjera, dhe raportimet u përhapën në qendra tregtare dhe në banesa – ato kanë të bëjnë me publikun, i cili në fakt është një nga punët kyçe në fushën e terrorizmit”, theksoi Kovaçevski.
Ai shtoi se Maqedonia nuk është e vetmja me këtë lloj problemi dhe se vendet fqinje dhe vendet e tjera në botë janë masivisht të ekspozuara ndaj sulmeve të tilla.
Edhe presidenti Pendarovski tha se krimi kompjuterik është i vështirë për t’u dëshmuar dhe se kërkon kohë, por se sa i përket masave operative të ndërmarra, fëmijët në shkolla janë të sigurt, se ka monitorim 24 orësh të shkollave dhe institucioneve dhe se autoritetet marrin të gjitha veprimet e nevojshme.
Përndryshe, nga 26 tetori në SPB Shkup disa herë është denoncuar se email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Nga Ministria e Punëve të Brendshme informuan se të gjitha paraqitjet kanë qenë të rrejshme.
Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski njoftoi se mesazhet janë lëshuar nga jashtë shtetit.
Spasovski më 19 nëntor deklaroi se së shpejti do të ketë rezultate nga hetimi për paralajmërime për bomba, të cilat krijojnë shqetësim në opinion tashmë një kohë të gjatë.
- LEXO: Kovaçevski: Kjo është luftë hibride, është pothuajse absolutisht e pamundur të zbulohet se nga vijnë kërcënimet për bomba
- LEXO: Kërcënimet me bomba intensifikohen në Maqedoninë e Veriut, kërkohen masa urgjente
- LEXO: Edhe raportimet e sotme për bomba janë të rreme, vlerësoi MPB-ja
- LEXO: Spasovski: Kërcënimet e sotme me bomba janë shembull tjetër i kërcënimit hibrid
- LEXO: Alarmet e sotme për bomba në disa shkolla të Shkupit dhe në Bankën Popullore ishin të rreme
N. D. Send an email 12:25, 14-12-2022