Qeveria do t’i mbështetë për tre muaj deri në 50 % të pagës bizneset që punësojnë gra
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se është rihapur masa 1.3, që ka të bëjë me punësimin e vajzave dhe grave.
Sipas Muratit, duke filluar nga ky muaj e deri më 15 prill bizneset që hapin vende të reja pune për vajza e gra do të mbështeten me deri në 50% të pagës për 3 muajt e parë, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara me vendim, raporton Zeri.info.
“Kusht për kualifikim është që personi që punësohet të mos ketë qenë në marrëdhënie pune më herët”, shkroi Murati.
Postimi i plotë:
Pas suksesit të jashtëzakonshëm të masës 1.3 gjatë vitit që po lëmë pas, ku u punësuan afër 5 mijë vajza dhe gra, kemi vendosur që të rihapim këtë masë edhe një herë.
Pra, nisur nga ky muaj e deri më 15 prill bizneset që hapin vende të reja pune për vajza e gra do të mbështeten me deri në 50% të pagës për 3 muajt e parë, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara me vendim.
Kusht për kualifikim është që personi që punësoni ju si biznes të mos ketë qenë në marrëdhënie pune më herët.