POLITIKA

“Për Asociacion duhet të punohet menjëherë”, Ambasada amerikane shpërndan deklaratën e Escobarit për Asociacionin

“Mendoj që për Asociacion duhet të punohet menjëherë. Duhet të jetë në agjendë në diskutimin e radhës”, ishte deklarata e djeshme e të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Emisari amerikan në intervistën dhënë për Radio Evropën e Lirë tha se “gjëja më e rëndësishme që SHBA-ja do, është të shohë krijimin e Asociacionit të komunave serbe”.

Ai tha se është një detyrim ndërkombëtar nga i cili një parti ose politikan i vetëm nuk mund të largohet dhe se kontributi i ShBA-së në proces do të jetë i ndërlidhur me formimin e këtij Asociacioni.
“Tani, një politikan i vetëm në një parti të vetme politike nuk mund të largohet nga ky detyrim. Pra, ne do të punojmë për Asociacionin. Ky do të jetë kontributi ynë në procesin e dialogut”, tha Escobar.

“Unë i kam thënë komunitetit [serb] se jam i hapur t’i dëgjoj shqetësimet e tyre. Ata kanë disa shqetësime legjitime. Ne, po ashtu, po kërkojmë mënyra për ta ndihmuar këtë qeveri që të forcojë pozicionin e saj në shumë gjëra”.

“Por, gjëja më e rëndësishme që SHBA-ja do, është të shohë krijimin e Asociacionit të komunave serbe. Unë u kam thënë njerëzve se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë këtë qeveri që ta zbatojë këtë. Nga pozicioni ynë, është një detyrim ndërkombëtar, ligjërisht i obligueshëm”, tha ai.

Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Escobar e sheh si urë lidhëse e afrimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe minoritetit serb.

“Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar”.

“Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës”.

“Unë e shoh këtë si mundësi për t’i përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet grupeve, dhe jo si mundësi e një shteti tjetër që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës”./Reporteri.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *