POLITIKATË FUNDIT

Transportuesit privatë kërkuan takim me kryeministrin, në të kundërt paralajmëruan radikalizimin e protestave

Bllokada e autobus transportuesve privat, foto: Portalb.mk
Bllokada e transportuesve privat, foto: Portalb.mk

Autobusët privatë, të cilët po protestojnë duke bllokuar bulevardin “Ilinden” në Shkup, pasi nuk morën përgjigje për kërkesën për takim me kryetaren e Shkupit Danela Arsovska, dje kërkuan që të priten nga kryeministri Dimitar Kovaçevski. Në anën tjetër, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, u shpreh kundër heqjes së kompetencave të Qytetit të Shkupit për transportin me autobus në kryeqytet, duke vlerësuar se kjo do të thotë kthim 20 vite pas në procesin e decentralizimit dhe do të jetë në dëm jo vetëm të qytetarëve, por edhe të funksionimit të përgjithshëm të sistemit, trasmeton Portalb.mk.

Përfaqësuesi i shoqatës së transportuesve privatë “Sloboda prevoz”, Qemal Muriq, tha dje se në kushtet kur nuk kanë përgjigje nga kryetarja e Shkupit Danela Arsovska për kërkesën e tyre për takim, shpresojnë të pranohen për bisedë nga kryeministri Kovaçevski, ku do të diskutohet për gjendjen aktuale me transportin publik të qytetit. Nëse takimi nuk zhvillohet, sipas tij, ka mundësi të radikalizohen protestat.

“Nuk e dimë se kur do të thirremi. Është në dorën e tyre, në varësi të angazhimeve të kryeministrit. Nuk dua as të mendoj se çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të na thirrnin. Me shumë mundësi do të ketë radikalizim të protestave, por para kësaj, trupi koordinues i transportuesve privatë duhet të takohet dhe të bien dakord për hapat e mëtejshëm”, tha Muriq, duke shtuar se autoritetet e qytetit nuk tregojnë ndonjë interes për të zgjidhur situatën.

Përfaqësuesit e autobusëve privatë kanë zhvilluar dje takim me u.d kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili tha se është e nevojshme të gjendet zgjidhje për problemin e tyre dhe se qeveria duhet të angazhohet më seriozisht në këtë rast.

“Jemi të shqetësuar për situatën. Bëhet fjalë për më shumë se 500 familje të cilat prej disa ditësh po protestojnë duke bllokuar rrugët. Kjo nuk është zgjidhje. Kryeqyteti është i bllokuar. Më shqetëson fakti që kryetarja nuk komunikon fare me ta, ndërsa duhet gjetur një zgjidhje dhe patjetë të gjendet. Jam dakord me një propozim që e ka dhënë, eventualisht t’i hiqen ingerencat dhe Qeveria të angazhohet seriozisht në këtë drejtim. Nuk ka kuptim të mos paguhen për pesë muaj dhe të vijë në këtë situate, e të mos ulet e të bisedojë”, tha Taravari.

Lidhur me kërkesat për heqjen e kompetencave të Qytetit të Shkupit për transport publik nga Qeveria, zëvendëskryeministri Bytyqi dje në pyetjet e gazetarëve tha se Qeveria është gjithmonë aty për qytetarët, por problemi me transportuesit e autobusëve duhet të zgjidhen nga autoritetet e qytetit.

Sipas tij, marrja e mundshmee ingerencave të autoriteteve të qytetit do të paraqesë kthim 20 vite pas në procesin e decentralizimit dhe hyrjen në ndryshime thelbësore dhe sistematike në dëm jo vetëm të qytetarëve të Shkupit, por edhe të gjithë funksionimit të sistemit.

“Transporti publik në qytetin e Shkupit është në kompetencë të Qytetit të Shkupit edhe me ligj. Unë besoj se Qyteti i Shkupit duhet të guxojë dhe më në fund të ulet ta zgjidhur problemin. Nëse nuk është e mundur, ne kemi dëshmuar se jemi gjithmonë këtu për qytetarët. Ne e kemi zgjidhur problemin me energjinë termike, po e zgjidhim problemin me rrymën në të gjithë vendin dhe ndoshta do të hyjmë në negociata, por atëherë do të thotë diçka tjetër – a do të thotë kjo edhe heqje e ingerencave të qytetit të Shkupit duke hyrë në ndryshime thelbësore dhe sistematike, nuk e di, sepse është në dëm jo vetëm të qytetarëve të qytetit të Shkupit, por edhe në funksionimin e përgjithshëm të sistemit”, tha Bytyqi, duke shtuar se askush nuk dëmtohet nga bisedimet.

Qyteti i Shkupit e shfuqizoi marrëveshjen me “Makekspres” e cila kishte vlefshmëri deri në fund të vitit 2023, pasi që sipas tyre, autobusët e linjave 19, 20, 22, 52 dh 54 nuk i kanë respektuar kushtet e përcaktuara për dhënien e shërbimeve cilësore. Nga NQP thanë se do t’i zëvendësojnë me autobusë dhe shoferë të tyre këto linja.

Disa ditë më vonë edhe kompania “Slloboda prevoz” hyri në grevë për shkak se deklaronin se NQP u ka borxh prej 1 milion euro. Për këtë kjo kompani ndaloi së qarkulluari linjat 9, 12, 22, 23 dhe 45.

Pas disa ditësh, Qyteti i Shkupit njoftoi se e ka shfuqizuar marrëveshjen edhe me “Slloboda Prevoz”, që nënkupton të dy kompanitë ndaluan së qarkulluari në 10 linja me mbi 200 autobusë.

NQP Shkup tani është transportuesi i vetëm i këtyre linjave. Për shkak mungesës së autobusëve që mund të zëvendësohen, qytetarët ankohen për vonesa të autobusëve.

Prej vitit 2016-të, autobusët privat kanë qarkulluar në kuadër të NTP-së. Ata paguhen për kilometër të kaluar në qarkullim, varësisht prej lartësisë së çmimit të derivateve.

N. D. Send an email 11:29, 13-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *