POLITIKATË FUNDIT

Gjykata Themelore në Strugë në prag të kolapsit

Gjykata Themelore në Strugë / Fotografuar nga Sh.A

Gjykata Themelore në Strugë me vite të tëra funksionon në kushte shumë të vështira për shkak të mungesës së kuadrit profesional. Aktualisht situata është rënduar akoma më shumë dhe gjyqësori në këtë qytet është në prag të kolapsit, shkruan Portalb.mk.

Si pasojë e mungesës së kuadrit profesional në Gjykatën e Themelore (GJ.Th) në Komunën e Strugës, qytetarët duhet të presin me muaj apo edhe vite të tëra që drejtësia të vihet në vend. Nga 15 gjykatës të paraparë, për momentin në këtë gjykatë punojnë vetëm gjashtë, mes tyre edhe Ifet Bajramoski – kryetar i Gjykatës Themelore në Strugë, të cilit, sipas rregullores nuk i lejohet të gjykojë sepse është kryetar.

“Me ligj është e paraparë që në këtë gjykatë të punojnë 15 gjykatës, megjithatë aktualisht këtu punojnë 6 gjykatës bashkë me mua. Momentalisht situata në gjykatë është alarmante. Verën e kaluar, pasi mbushën 64 vjeç u pensionuan dy gjyqtarë, të gjithë lëndët e tyre u shpërndanë te gjykatësit tjerë. Gjyqtarët janë të mbi-ngarkuar me punë, ata kanë nga 250-400 lëndë”, deklaroi për Portalb.mk, kryetari i Gjykatës Themelore në Strugë, Ifet Bajramoski.

Ifet Bajramoski-Kryetar i Gjyaktës Themelore në Strugë / Fotografuar nga Shefkije Alasani

Pas disa muajsh, Gjykata e Strugës dotë duhet të funksionojë me 4 gjykatës. Në mars duhet të pensionohet edhe një gjykatëse e cila ka 1500 lëndë aktive. Gjykatësi Bajramoski thotë se për një muaj maksimumi i lëndëve që mundet të trajtojë një gjykatës mundet të arrijë deri në 200 lëndë, ndërkohë që çdo ditë shtohen lëndë të reja.

“Situata është vërtet e frikshme dhe shqetësuese. Dy gjykatës të tjerë do të dalin në pension vitin e ardhshëm dhe në vitin 2024 edhe një tjetër. Gjykatësit qëndrojnë këtu edhe pas orarit të punës për të punuar. Janë të detyruar të punojnë edhe jashtë orarit, madje marrin lëndë edhe në shtëpi, gjë që nuk lejohet”, u shpreh Iftet Bajramoski-Kryetar i Gjykatës Themelore Strugë.

Si pasojë e gjyqësorit të cunguar avokatët thonë se ankesat e ngritura nga qytetarët zgjidhen me shumë vonesa. Qytetarët detyrohen të presin muaj apo edhe vite për tu dhënë epilog proceseve gjyqësore.

Besnik Asani – Avokat

“Sa i përket pjesës së funksionimit sa më efikas të mbarëvajtjes së proceseve gjyqësore në gjykatën Themelore të Strugës, dukshëm është ngadalësuar gjendja funksionale e vetë institucionit. Arsyeja është një, mungesë e kuadrit gjegjësisht gjykatësve nëpër të gjitha reparte, sidomos ai civil. Gjykata e Strugës, deri para 10 vite, ka patur kuadër më shumë se njëzet gjykatës, kurse tani janë vetëm katër, ku pritet brenda më pak se një viti edhe këto të pensionohen. Mesatarja për kokë banori është tepër e ulët. Për të plotësuar numrin për kokë banori në Strugë duhet të ushtrojnë detyrën më së pakti 15 gjykatës”, deklaroi avokati Besnik Asani.

Sipas avokatit Asani, ato të cilët humbasin e vuajnë më së shumti nga mungesa e kuadrit në Gjykatën e Strugës, janë qytetarët struganë.

“Shoqata e avokatëve në Strugë numëron 59 avokatë. Mund ta imagjinoni, vetëm një shkresë në ditë, secili nga këto është një ngarkesë për vetë institucionin, por problemin e pasojnë qytetarët, ku për një kërkesë padi (pa kontest), vetëm pritja për të caktuar seancë zgjat deri në 5 apo 6 muaj. Lëndët civile, ato më të thjeshta, zgjasin më shumë se 1 vjet, mos të flasim ato lëndë me konteste. Zgjidhja është e qartë, zbatimi i rekomandimeve e bëra nga Komisioni i Venecias dhe ekspertëve për çështje sistematike të sundimit të ligjit”, theksoi Avokati Besnik Asani.

Sistemi gjyqësor është i brishtë në mbarë vendin

Në fakt, sistemi gjyqësor vazhdon të mbetet i brishtë në të gjithë vendin. Situatë e ngjashme me atë të Strugës ka edhe në shumë qytete tjera të vendit, përfshirë këtu Kërçovën, Prilepin, Manastirin, etj. Pasqyrë e këtij realiteti janë edhe anketat e fundit nga IRI, të cilat nxjerrin në pah besimin e ulët të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në sistemin gjyqësor. Gjykatave në vendin tonë ju beson plotësisht vetëm 3% e qytetarëve, 16% ju besojnë deri diku ndërsa rreth 80% e popullsisë nuk i beson sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut.

Sa i përket burimeve njerëzore nëpër gjykata Maqedonia e veriut pati vërejtje edhe në Raportin e Progresit të publikuar nga komisioni evropian në tetor të këtij viti.

Sistemi gjyqësor i Maqedonisë së Veriut ka arritur një nivel përgatitjeje / është mesatarisht i përgatitur. Njëfarë progresi u arrit në fushën e gjyqësorit, nëpërmjet zbatimit të qëndrueshëm të strategjisë së reformës në drejtësi. Duhet të rritet ritmi i zbatimit të strategjive të burimeve njerëzore për gjyqësorin dhe shërbimet e prokurorisë. Institucionet gjyqësore kanë zbatuar në mënyrë të vazhdueshme rregullat e reja për emërimin, ngritjen në detyrë, disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Promovimet në gjykatat më të larta u përballën me vonesë dhe daljet e planifikuara në pension ulën më tej numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve“, theksohet në Raportin e Progresit për Maqedoninë e Veriut.

Një ndër rekomandimet evropiane në fushën e gjyqësorit është përshpejtimi i zbatimit të strategjive për burimet njerëzore në rrjetin e gjyqësorit dhe prokurorisë publike dhe t’i përdorë ato si tregues për parashikimin e rekrutimeve të ardhshme. Sipas Komisionit Evropian për drejtësi efektive nevojiten 21 gjyqtar dhe 12 prokurorë për 100 000 banorë. Ndërkohë në fund të vitit 2021 Maqedonia e Veriut numëronte 473 gjyqtarë, ose 26 gjyqtarë për 100 000 banorë, dhe 170 prokurorë ose 12 prokurorë për 100 000 banorë.

Vlerat themeluese të BE-së përfshijnë sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Një sistem gjyqësor efektiv (i pavarur, me cilësi të lartë dhe efikas) dhe një luftë efektive kundër korrupsionit janë të një rëndësie të kyçe për tu bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Njëjtë siç është respektimi i të drejtave themelore në ligj dhe në praktikë.

Shefkije Alasani Send an email 12:29, 13-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *