POLITIKATË FUNDIT

Kovaçevski për ndryshimet kushtetuese: Vendimi i deputetëve nuk do të jetë i lehtë, por pres të tregojnë sjellje burrështetase

Dimitar Kovaçevski, foto: Suad Bajrami
Dimitar Kovaçevski, foto: Suad Bajrami

Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se e ka të qartë se vendimi i deputetëve në Kuvend në lidhje me ndryshimet kushtetuese nuk do të jetë i lehtë, por prej tyre pret të tregojnë sjellje burrështetase, njofton Portalb.mk.

Ajo që është e qartë, theksoi kryeministri në intervistë për MIA, është se deputetët e kanë fjalën ta lënë vendin në stagnim ose të miratojnë vendim për të ardhme më të mirë.

“Skriningu vijon ashtu siç ishte planifikuar dhe përpara nesh janë ndryshimet kushtetuese, të cilat do të gjenden përpara Kuvendit maqedonas dhe 120 deputetët tanë. E kam të qartë se vendimi i tyre nuk do të jetë i qartë, por pres që të tregojnë sjellje burrështetase. Ajo që është e qartë, është se ata kanë zgjedhje që ta lënë të jetë gjithçka siç ka qenë dhe ta lënë vendin në stagnim dhe pasiguri, por unë besoj sinqerisht dhe jam i bindur, se ata do të jenë në nivel të detyrës dhe do të sjellin vendim që të mundësojnë të ardhme më të mirë edhe për ne edhe për fëmijët tanë. Deputetët, megjithatë dhe para se gjithash janë përfaqësues të qytetarëve, ndërkaq qytetarët duan të jetojnë në vend anëtar të BE-së. Duan të jemi anëtare e plotë e BE-së. Jo vetëm për shkak të anëtarësimit në vetvete, por për shkak të standardit më të mirë të jetesës, për shkak të sundimit më të mirë të të drejtës, infrastrukturës më të mirë, shërbimeve më të mira për qytetarët, për shkak të zhvillimit ekonomik, të drejtës sociale dhe sundim të demokracisë”, tha Kovaçevski.

Sipas Kovaçevskit, Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE, por shtoi se kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë.

“Ajo rrugë deri në BE nuk do të jetë e lehtë, por patjetër duhet bërë. Pasi që në fund të kësaj rruge është dhurata e madhe, anëtarësimi i plotë në BE. Qytetarët tanë, gjeneratat e ardhshme do të jetojnë në BE, më të pasur dhe më standard më të mirë nga ajo që e kanë tani, a shoqëria jonë do të transformohet në shoqëri me vlera evropiane. Shihni vendet-anëtare të cilat përpara shumë vitesh kanë qenë në situatën tonë, a të cilat pas anëtarësimit në BE kanë përjetuar rritje serioze dhe zhvillim. Edhe rruga e tyre nuk ka qenë e lehtë, edhe transformimi i tyre ka qenë gradual dhe i rëndë, por sot qytetarët e tyre kanë mundësi që të jetojnë në vend me standard më të mirë, më të pasur, të jetojnë në mënyrë evropiane dhe të lirë”, tha Kovaçevski.

Kryeministri theksoi se nëse do të jemi edhe ne atje, varet vetëm prej bashkimit tonë.

“Duart e mbështetjes nga miqtë tanë, këtë mundësi që e kemi, nuk guxojmë ta lëshojmë”, tha Kovaçevski.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

S. B. Send an email 13:30, 11-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *