Kaos me parkimin në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, autoritetet heshtin (FOTO)
Kaosi i trafikut në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup po bëhet përditshmëri për qytetarët që tentojnë të gjejnë vend parkimi, ndërsa rrëmujat janë situatë mjaft e rrezikshme edhe për pacientët të cilët sillen me autoambulancë dhe të cilët kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore. Meta.mk ka dy javë që po përpiqet të marrë përgjigje për problemin e parkimit nga NP “Parkingu i Qytetit”-Shkup dhe nga Ministria e Shëndetësisë, por tani për tani heshtje nga institucionet lidhur me pyetjet e parashtruara, shkruan Meta.mk.
Imazhi negativ i përditshëm në Qendrën Klinike nis pikërisht në hyrje, ku ka bllokim automjetesh që presin në radhë për të hyrë në kompleksin shëndetësor. Pasi marrin një biletë parkimi, drejtuesit e mjeteve detyrohen të gjenden vetë në situatën kaotike. Vozitësit e pakujdesshëm i parkojnë automjetet në korsinë e komunikacionit dhe për shkak të ngecjes disa vetura hyjnë në korsinë e dytë të destinuar vetëm për shërbimet emergjente dhe bllokojnë edhe atë korsi. Kjo gjithashtu parandalon qarkullimin e mjeteve të urgjencës mjekësore.
Bllokimi më i madh është menjëherë pas hyrjes në Qendrën Klinike pranë klinikave kirurgjikale, sepse këtu është i përqendruar presioni i parkimit në këtë pjesë të kompleksit shëndetësor. Bllokim trafiku me automjetet e parkuara ka edhe në mes të klinikave kirurgjikale dhe klinikës së gjinekologjisë. Problem veçanërisht paraqesin vozitësit e pakujdesshëm të cilët pasi mbarojnë punë në njërën nga klinikat parkohen në rrugë para pikës për pagesë së NP “Parkingu i Qytetit”, gjë që krijon bllokim shtesë në komunikacion. Nuk mungojnë edhe rastet e drejtuesve të automjeteve të cilët vozisin në drejtim të kundërt me sinjalistikën, gjë që rëndon edhe më shumë kaosin në trafik.
This slideshow requires JavaScript.
Me një situatë kaq të rrezikshme me bllokime të trafikut, është e qartë se nuk mund të përballen punëtorët e NP “Parkingu i Qytetit”, të cilët menaxhojnë dhe marrin para për shërbimin e parkimit në Qendrën Klinike në Shkup. Nuk ka kush t’i paralajmërojë drejtuesit e mjeteve që në mënyrë të parregullt i lënë makinat e tyre në një vend të papërshtatshëm ose që paguajnë parkimin me makinën e tyre para kabinës së pagesës.
Meta.mk për kaosin në komunikacion që mbretëron në Qendrën Klinike, u ka shkruar Ndërmarrjes Publike “Parkingu i Qytetit”-Shkup, e cila menaxhon parkingjet në kompleksin shëndetësor dhe te Ministria e Shëndetësisë e cila është përgjegjëse për funksionimin normal. të objekteve shëndetësore, por edhe vetë ndodhet në kompleksin klinik “Nënë Tereza”. Të dyja institucionet janë kontaktuar me shkrim në datat 28 nëntor dhe 2 dhjetor, por deri më sot nuk kanë dërguar përgjigje.
Ndër pyetjet që NP “Parkingu i Qytetit” nuk mendon se duhet të përgjigjet janë nëse softueri që përdorin ka kufizim në numrin e automjeteve që mund të hyjnë në Qendrën Klinike, nëse dhe sa gjoba shkruajnë punonjësit e tyre në ditë për automjetet e parkuara në mënyrë të parregullt në kompleks. Ata gjithashtu nuk janë përgjigjur edhe sa shpesh shërbimi merimangë i “Parkingut të Qytetit” e viziton kompleksin më të rëndësishëm shëndetësor për të marrë automjetet. Gjithashtu nuk janë përgjigjur edhe nëse është e mundur të ndërtohet një garazh në kate apo ndonjë investim tjetër në Qendrën Klinike, i cili do ta rriste numrin e hapësirave të parkimit.
Nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë dërguar përgjigje për pyetjet se a kanë reaguar te NP “Parkingu i Qytetit” për zgjidhjen e problemit me kaosin e trafikut në Qendrën Klinike. Ministria nuk i është përgjigjur pyetjes se çfarë masash do të marrin për të kapërcyer problemin e mungesës së parkingjeve dhe kaosit që mbretëron rreth kompleksit “Nënë Tereza”.
Ndryshe, mbi 1.7 milionë euro ka fituar ndërmarrja publike “Parkimi i qytetit” në 4 vitet e fundit nga menaxhimi i parkimit në Qendrën Klinike Nënë Tereza në Shkup. Të dhënat nga raportet vjetore të punës së kompanisë për periudhën 2015-2018 tregojnë se ky parkim sjellë më shumë të ardhurat se çdo parking tjetër publik me të cilin menaxhon “Parkimi i Qytetit” në të gjithë kryeqytetin.
S. B. Send an email 11:22, 11-12-2022