Zgjedhjet mbesin peng i vlerësimit të sigurisë
Për shkak të mungesës së sigurisë fizike, anëtarët e komisioneve komunale të zgjedhjeve në veri të Kosovës, po refuzojnë të shkojnë në vendet e tyre të punës.
Kështu tha Burim Ahmetaj, shef i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e mbajtur të enjten.
“Ata nuk do të shkojnë në asnjë mënyrë në zyre, pasi është në pyetje siguria fizike, dhe është i pamundur funksionimi i komisioneve në këto rrethana”, tha Ahmetaj.
Disa grupe të qytetarëve serbë në veri penguan hapjen e zyrave të KQZ-së në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok më 6 dhjetor, duke shkaktuar incidente me armë zjarri dhe granata, por pa pasoja në njerëz.
*Video: Situata e sigurisë vë në pikëpyetje zgjedhjet
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan – janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor. Kjo, pasi kryetarët të këtyre komunave nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit në shenjë kundërshtimi ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri. Ata po ashtu kundërshtojnë zgjedhjet e 18 dhjetorit. Dorëheqjen dhanë edhe pjesëtarët e policisë si dhe të gjyqësorit.
Por, ditëve të fundit në Kosovë është nxitur debati për shtyrjen e zgjedhjeve për shkak të incidenteve në atë pjesë.
Më 7 dhjetor, i pari që foli për mungesën e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve në veri ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Institucionet e Kosovës u përgjigjën se janë në pritje të vlerësimit të situatës së sigurisë për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë. Nga Policia e Kosovës nuk i janë përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë lidhur me raportin e vlerësimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila i ka shpallur zgjedhjet, tha të enjten se nëse pas një vlerësimi të sigurisë, KQZ-ja do t’i drejtohet asaj me kërkesë për të shtyrë votimet, ajo do ta trajtojë këtë çështje.
Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, shprehu besimin se zgjedhjet nuk do të shtyhen.
“Kjo, natyrisht varet prej vlerësimit të institucioneve tona të sigurisë”, tha Konjufca për televizionin publik të Kosovës.
Shala: Në katër komuna, anarki institucionale
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, mbizotëron anarki institucionale, për shkak se institucionet qendrore nuk kanë qasje në nivelin lokal.
“Policia e Kosovës ka dëshmuar në shumë raste që ka kapacitete për të garantuar çfarëdo lloj aktiviteti në gjithë Kosovën, por nuk është koha që ne të tregohemi rigoroz sa i përket çështjes së sigurisë, sepse kontekstet në pjesën veriore, janë kontekste politike. Zhvillimet politike po përcaktojnë procesin e sigurisë dhe në këtë aspekt unë mendoj se zgjedhjet e 18 dhjetorit duhet të shtyhen”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi një ditë më parë se Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet e nevojshme që të garantojë procesin zgjedhor.
Sa i përket shtyrjes eventuale të zgjedhjeve, Sveçla theksoi se janë në pritje të planit KQZ-së lidhur me aktivitetet e parapara. Një ditë më vonë, KQZ-ja miratoi planin operacional për sigurinë e zgjedhjeve, që do t’i dërgohet Policisë së Kosovës.
Merovci: Situata nuk siguron zgjedhje të lira dhe demokratike
Por, ish-kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së, Adnan Merovci, mendon se incidentet e fundit në veri nuk ofrojnë siguri se mund të mbahen zgjedhje të lira dhe demokratike.
“Në këtë rast nuk mund të bëhemi të shurdhër. Nuk duhet të jetë as KQZ-ja dhe as trupat e tjerë, që këto mos t’i raportojmë dhe si rezultat i kësaj, presidentja e vendit [Vjosa Osmani] të marrë vendim për prolongimin e afatit të mbajtjes së zgjedhjeve”, thotë Merovci për Radion Evropa e Lirë.
Kundër mbajtjes së votimeve më 18 dhjetor është shprehur edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, pasi tha se nuk ka kushte për mbajtjen e tyre. Ky këshill tha se të gjitha partitë politike duhet të arrijnë një konsensus që zgjedhjet të mbahen kur të plotësohen kushtet që garantojnë zgjedhje të lira dhe të pakushtëzuara./Rel