Vilat e hotelet e sekuestruara në Brezovicë/ Kështu duhet vepruar institucionet, t’i parandalojnë shkeljet nga “mafia”!
Një temë e diskutuar kohëve të fundit është vazhdimi i sekuestrimeve të vilave në Brezovicë, objekte në pronësi të politikanëve, biznesmenëve e qytetarëve, ku janë sekuestruar më 11 tetor në Brezovicë, me kërkesë të prokurorit të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku.
Sekuestrimi u bë me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
Këto institucione, pas inspektimit të objekteve të ndërtuara në Brezovicë, kanë vlerësuar se rreth 100 objekte janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” dhe planin hapësinor për këtë park.
Sipas prokurorisë, objektet janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e këtyre veprave penale.
Prokurori Maloku ka thënë se të gjitha objektet e ndërtuar në zonën e dytë të Brezovicës janë sekuestruar përkohësisht.
Sipas Malokut, i cili është edhe prokuror i rastit Brezovica, në këtë zonë nuk lejohet ndërtimi.
“Këto janë kryesisht, vikend-shtëpiza apo vila. Ka qenë edhe një hotel, edhe atë e kemi sekuestruar. Ndërkaq, objektet hoteliere gjenden në zonën e tretë çtë Parkut Kombëtar ‘Sharri’] dhe në ditët në vijim do të shikojmë se çfarë do të bëjmë me to”, kishte thënë Maloku.
Në total janë sekuestruar rreth 100 objekte, përfshirë 80 objekte të ndërtuara plotësisht e disa në ndërtim e sipër.
Burjani: Ndërtimet pa leje duhet të rrënohen
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi, Blerim Burjani.
Ai u shpreh se të gjitha ndërtimet pa leje duhet të rrënohen pasi janë në kundërshtim me ligjin.
“Ato duhet të rrënohen, kuptohet ndërtimet pa leje prishin pamjen, po ashtu pengojnë planet hapësinore. Pra, shteti e ka për obligim mos të lejoj ndërtime si në xhungël”, u shpreh juristi.
Më tej, ai thekson që në çdo shtet ka ligje dhe disiplinë dhe për këtë arsye duhet të ketë rregulla në pajtim me shtetin.
“Pra, në një shtet normal ka rend dhe ka disiplinë ligjore, çdo ndryshim në natyrë bëhet në pajtim me rregullat për rishikimin e planit urbanistik dhe planit të mjedisit”, u shpreh juristi Burjani për “Bota sot”.
Ahmeti: Zbatimi i ligjit në mënyrë objektive dhe pa dallim do të disiplinonte bizneset e ndërtimit
Në lidhje me këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.
Ai thotë se duhet të mbizotërojë ligji për këto veprime të kundërligjshme dhe se duhet ndërmarrur masa pasi të gjitha këto ndërtime kanë qenë në kundërshtim me ligjin.
“Një çështje të tillë e trajton Ligji mbi konfiskimin dhe sekuestrimin, rrjedhimisht përcakton procedurat administrative deri në vendimin e gjykatës, pasi këto vila janë të sekuestruara e jo të konfiskuara. Nuk duhet prejudikuar vendimin e gjykatës, por në këtë rast gjyqësori duhet të jetë më efektiv, pasi këto vila janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe duke mos respektuar Planin zhvillimor, por as Planin rregullativ ndërtimor, por mbi të gjitha nuk është respektuar legjislacioni primar dhe sekondar mbi ndërtimin”, u shpreh ai.
Më tej, analisti thotë që zbatimi i ligjit në mënyrë objektive dhe pa dallime do të disiplinonte bizneset e ndërtimit, por edhe blerësit.
“Kjo çështje duhet të trajtohet seriozisht nga institucionet dhe në mënyrë objektive, pasi është një problem që është përcjellur për një kohë nga mafia e ndërtimit për përfitime personale dhe grupore. Zbatimi i ligjit në mënyrë objektive dhe pa dallim do të disiplinonte bizneset e ndërtimit, por edhe blerësit, pasi nuk duhet të blihet diçka që nuk posedon dokumentacionin e nevojshëm mbi validitetin e ligjshmërisë”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.