Për mbrojtje të vërtetë të privatësisë të gjitha ligjet duhet të harmonizohen me Ligjin për Mbrojtje të të Dhënave Personale
Cilat janë sfidat në zbatimin dhe harmonizimin e Ligjit për të Dhënat Personale, mënyra se si kontrollorët përballen me to, si dhe cilat janë mundësitë për ruajtjen e privatësisë të të dhënave personale ishin temat kryesore që u diskutuan në panelin “Zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”: praktikat e mira, sfidat dhe hapat e ardhshëm”, që u mbajt në ditën e dytë të Konferencës “e-Shoqëria.mk: Rezistenca kibernetike për liri dhe siguri”, e organizuar nga Fondacioni Metamorfozis, transmeton Portalb.mk.
Sipas Manuella Stanoevska–Stoillkovska nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është miratuar në vitin 2020, ndërsa ndryshimet pas miratimit të tij mund të shihen në vetë konceptin e mbrojtjes të të dhënave, të shprehura përmes parimit të llogaridhënies dhe mënyrës së aplikimit të masave teknike dhe organizative të mbrojtjes që bëhen pas analizës së rrezikut.
Stanoevska–Stoillkovska thotë se i gjithë ligji insiston që të gjitha masat mbrojtëse të planifikohen dhe merren para se të merren të dhënat personale dhe që aspektet e ligjit të identifikohen dhe të vërtetohen përpara zbatimit të masave teknike. Si një nga përvojat e Agjencisë, gjatë këtyre gati tre viteve të zbatimit të ligjit, është numri i vogël i kontrollorëve që kanë dorëzuar raportime për devijime në sigurinë e të dhënave personale, edhe pse ky numër është dhjetë herë më i lartë.
“Nëse kontrollorët kanë konstatuar ose është raportuar për shkelje të sigurisë të të dhënave, nëse kanë raportuar dhe kanë marrë masa për ta parandaluar atë, kjo do të thotë se kanë krijuar një sistem mbrojtës dhe se e respektojnë parimin e llogaridhënies”, tha Stanoevska–Stoillkovska.
Ajo informoi se që nga miratimi i ligjit janë miratuar edhe 13 rregullore, dy vendime dhe një metodologji harmonizimi për harmonizimin më të lehtë të kontrollorëve, por për përfaqësimin e të drejtave për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.
“Zbatimi i ligjit nuk duhet parë si e keqe e domosdoshme dhe mënyrë për ta shmangur gjobën e paraparë, dhe ofiecerët nuk duhet të shihen si shpenzim, por mbrojtja duhet parë si investim”, vlerëson Stanoevska–Stoillkovska.
Arben Gudaçi nga Shoqata e Juristëve të Rinj theksoi se organizatat qytetare shumë shpesh janë në rolin e kontrolluesve të mbrojtjes të të dhënave personale. Për organizatat më të vogla zbatimi është një sfidë e madhe sepse ato nuk kanë fuqi punëtore ose burime për të trajnuar ose punësuar oficerë.
“Ka shumë dezinformata, për shembull si ajo se çdo organizatë duhet të ketë një oficer dhe akte. Zbatimi i ligjit nuk duhet të mbesë në atë që duhet pasur dhe sa herë që flitet për një organizatë joqeveritare duhet të dihen specifikat e fushës në të cilën ajo vepron. Organizatat duhet ta ndryshojnë mënyrën se si veprojnë, në të kundërtën, edhe sikur të kenë një oficer sërish do ishte e kotë”, thotë Gudaçi.
Emilija Angellovska, përfaqësuese e MASIT, Odës Ekonomike për TIK, foli për perspektivën e sektorit privat dhe si ndikon Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale tek kompanitë. Ajo mendon se ligji është i mirë dhe mund të gjendet një mënyrë për t’iu përshtatur mënyrës së punës së çdo kompanie, e jo të përdoren modelet ekzistues dhe të kopjohen rregullat e vendosura nga kompanitë e tjera.
“Të dhënat nuk janë të kompanive, por të individëve dhe ashtu siç janë huazuar, ashtu duhet edhe të ruhen si diçka që i përket dikujt tjetër. Nëse arrijmë ta zbatojmë këtë gjë, do përshtatemi me ligjin me sukses”, tha Angellovska, dhe theksoi se parimet e ligjit duhet të zbatohen si standard i funksionimit të kompanive, e jo si një detyrim.
Elena Stojanovska, eksperte për mbrojtjen e të dhënave personale, tha se ndërtimi i një kulture të privatësisë është një proces i gjatë dhe kompleks i cili është i lidhur edhe me mentalitetin.
Privatësinë tonë e kujtojmë atëherë kur hasim në ndonjë problem. Duhet t’i ndryshojmë shprehitë, sjelljen dhe mënyrën e të menduarit për atë se çfarë është privatësia dhe për atë se ku është kufiri deri ku ne i ndajmë të dhënat tona”, tha Stojanovska.
Ajo mendon se edukimi është qenësor në procesin e mbrojtjes të të drejtave personale dhe përdorimit të së drejtës për të qenë i informuar që na jepet si i mirëqenë.
Në panel u diskutua edhe për rastin e fundit në të cilin Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në ueb faqen e saj i shpalli publikisht shfrytëzuesit e ndihmës financiare. Ky rast, sipas folësve në panel, tregon se ende ka raste kur publikimi i të dhënave personale është detyrim i institucionit dhe lejohet me ligj, pra se një pjesë e madhe e ligjeve që rregullojnë çështjet që kanë të bëjnë me publikimin e të dhënave private ende nuk janë harmonizuar me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
M. Z. Send an email 15:29, 07-12-2022