Fernando Santos për lënien e Ronaldos në bankë: Ai tregoi profesionalizëm, nuk bëri asnjë problem
Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos e ka përgëzuar Cristiano Ronaldon për profesionalizmin e treguar.
Cristiano Ronaldo e nisi në stol ndeshjen e Portugalisë kundër Zvicrës, dhe vendimi i trajnerit u komentua shumë nëpër media. Madje, thuhej se Ronaldo ka shprehur pakënaqësitë e tij për këtë vendim.
Por, këto raportime i përgënjeshtroi Fernando Santos, i cili ka thënë se Ronaldo s’ka bërë asnjë problem dhe se palët janë dakorduar bashkërisht për vendimin.
“Cristiano ka treguar se ai është profesionist dhe kapiten i vërtetë. Ai nuk krijoi asnjë problem, vërtet”, ka thënë Santos, përcjell lajmi.net.
“Ne kemi biseduar para ndeshjes dhe ai s’ka asnjë problem me vendimin tim. Cristiano është një shembull”, shtoi portugezi.
Portugalia ka kaluar në çerekfinale të Kupës së Botës dhe do të luajë kundër Marokut. Mbetet të shihet nëse Ronaldo do të kthehet në pozitën e titullarit.