Ekspozitë “Nuancat e Ngjyrave” – Të rinjtë në Tetovë kërkojnë më shumë mundësi për të aplikuar talentet e tyre
Pas tre muajsh punë dhe aktivitete, mbrëmë në Galerinë e Arteve në Tetovë u prezantuan gjashtëdhjetë pikturat e realizuara nga nxënësit e shkollave të mesme, studentët, staf akademik dhe administrativ, të cilat u punuan në bibliotekën “Max van der Stoel”. Të rinjtë pjesëmarrës në këtë projekt shprehen se kanë nevojë për më shumë aktivitete të tilla ku mund të shfaqin talentin dhe pasionet e tyre, shkruan Portalb.mk.
Për një periudhë prej tre muajsh, pjesëtarët e lartpërmendur të ndarë në tre kategori dhe në gjashtë grupe kanë pasur mundësi që të pikturojnë dhe të shfaqin talentin e tyre në këtë fushë. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte promovimi i artit, kulturës dhe leximit në Tetovë. Ndërsa rezultati final dolën gjashtëdhjetë piktura të cilat u shfaqën në ekspozitë para publikut.
Të rinjtë që ndoqën këtë punëtori, shprehen të kënaqur me rezultatin final ndërsa u shprehën se kanë nevojë për më shumë aktivitete të tilla dhe se i mirëpresin të njëjtat me shumë vullnet dhe pasion.
This slideshow requires JavaScript.
Interesimi për kursin ka qenë i lartë, kështu thotë Elmedina Abdulahi, udhëheqëse e projektit.
“Tema ka qenë e lirë, çdokush ka pikturuar atë që vetë ka dashur të shprehet. Bëhet fjalë për piktorë fillestarë, të cilët nuk janë profesionist por kanë pasion dhe më gëzon fakti që ka pasur interesim të madh”, deklaroi Abdulahi.
Behixhudin Shehapi nga Ministria e Kulturës tha se ky projekt u realizua në kuadër të aktiviteteve të sektorit për art figurativ dhe organizimin e ngjarjeve dha mbështetje edhe për ekspozitën e mbrëmshme.
“Me këtë rast uroj që këto aktivitete të vazhdojnë edhe në institucione tjera. Shpresoj se edhe në të ardhmen do të kemi një mbështetje edhe në vitin 2023 për aktivitete të ngjashme. Sipas informatave të para që kemi marrë do të ketë edhe shumë aktivitete dhe do të kemi një jetë shumë të pasur artistike dhe kulturore në Tetovë”, deklaroi Shehapi.
Projekti u realizua nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me bibliotekën “Max van der Stoel”.
Fisnik Xhelili Send an email 14:13, 07-12-2022