U mbajt dita e parë e konferencës e-Shoqëri.mk me temë “Rezistenca kibernetike për liri dhe siguri”
Fondacioni Metamorfozis e mban edicionin e 18-të të konferencës ndërkombëtare e-Shoqëri.mk në temën “Rezistenca Kibernetike për Liri dhe Siguri”. Konferenca ka filluar sot, ndërkaq do të vazhdojë edhe nesër në Shkup, si dhe online përmes platformës ZOOM dhe Facebook Live në profilin e Fondacionit Metamorfozis, transmeton Portalb.mk.
Konferenca u hap nga David Geer, Ambasador i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, pastaj mbajtën fjalim Dirk Jan Kop, Ambasador i Mbretërisë së Holandës në Maqedoninë e Veriut, Matthew Lawson, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut, Sllavica Gërkovska, Zëvendës-kryeministre e ngarkuar për politikat për qeverisje të mirë (video fjalim), dhe Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis. Moderatore e ngjarjes është Milla Josifovska Danillovska nga Fondacioni Metamorfozis.
Folësit do të ofrojnë këndvështrimin dhe vlerësimin e tyre mbi mënyrat për ta ruajtur lirinë dhe sigurinë në epokën digjitale dhe për të nxitur krijimin e komuniteteve qytetare rezistuese në hapësirën kibernetike. Ky sesion do të ofrojë një bazë solide për diskutime të mëtejshme të fokusuara në kërcënimet e mundshme ndaj lirive, sigurisë dhe të drejtave të njeriut në internet.
Edicioni i sivjetshëm i e-Shoqëri.mk do të zgjasë 2 ditë dhe përbëhet nga 7 diskutime në panel, 2 fjalime frymëzuese, 1 debat televiziv dhe 1 shfaqje të filmit “Motrat” nga Dina Duma (në Kinematekën e Maqedonisë së Veriut). Aktivistë, ekspertë, gazetarë, nëpunës shtetërorë dhe mbështetës nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë do t’i ndajnë pikëpamjet dhe mendimet e tyre mbi transformimin digjital të administratës publike dhe shoqërive në Ballkanin Perëndimor, respektimin e të drejtave të njeriut në hapësirën online, mbikëqyrjen dhe përpunimi e të dhënave biometrike, privatësinë, pasojat e ngacmimit kibernetik në jetën reale, si dhe tejkalimin e hendekut gjinor në sigurinë kibernetike. Konferenca do të përfshijë gjithashtu diskutime mbi narrativet e dezinformimit, efektet e dezinformatave dhe ndikimet e huaja të dëmshme mbi demokracinë e Maqedonisë së Veriut, si dhe për kërcënimet e sigurisë ndaj demokracisë dhe përpjekjet evropiane për t’i luftuar dezinformatat.
“Të nxitur nga sfidat me të cilat është përballur bota në periudhën e kaluar, këtë vit ne kemi vënë fokusin në ndërtimin dhe edukimin e një shoqërie rezistuese në hapësirën kibernetike, përmes prizmit të privatësisë dhe sigurisë në epokën digjitale. Teknologjitë digjitale ofrojnë shumë mundësi për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por është e rëndësishme që të gjithë të jenë të vetëdijshëm edhe për rreziqet e përdorimit jo të drejtë të tyre. Të rinjtë, si një nga kategoritë më të cenueshme, janë veçanërisht të ekspozuar ndaj rreziqeve të tilla, me theks të veçantë në dezinformatat dhe bullizmin në internet, dhe si liderë të ardhshëm duhet të jetë prioritet që ata të bëhen qytetarë digjitalisht kompetentë dhe të përgjegjshëm”, thotë Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis.
Ai shton se është e një rëndësie thelbësore që të punohet në mënyrë të përkushtuar dhe gjithëpërfshirëse në kultivimin e një kulture të rezistencës kibernetike, së bashku me të gjithë palët e interesuara, prandaj në këtë konferencë pritet të marrin pjesë përfaqësues nga institucionet, organizatat e shoqërisë civile, mediat, sektori akademik, ekspertë dhe qytetarë nga Evropa dhe më gjerë, për të diskutuar së bashku dhe për të dalë me zgjidhje konkrete dhe hapa të ardhshëm për veprim.
Në ngjarje do të sigurohet përkthim në maqedonisht, shqip dhe anglisht.
Agjendën e konferencës mund ta gjeni këtu.
N. D. Send an email 10:30, 06-12-2022