U hap Konferenca e-Shoqëri,mk, në fokus të saj rezistenca kibernetike për liri dhe siguri
Për të 18-n herë Fondacioni Metamorfozis e organizon Konferencën Ndërkombëtare e-Shoqëri.mk e cila filloi sot në Hotelin “Meriot” në Shkup. Duke trajtuar një temë jashtëzakonisht aktuale “Rezistenca kibernetike për liri dhe siguri”, në një sallë të mbushur plot Konferenca filloi me fjalime nga Ambasadori i BE-së, David Geer, Dirk Jan Kopp- Ambasador i Mbretërisë së Holandës dhe Matthew Lawson – Ambasador i Britanisë së Madhe. Si përfaqësues i Metamorfozis foli drejtori ekzekutiv Bardhyl Jashari, ndërsa në vend të ministrit të mbrojtjes në Konferencë mori pjesë sekretari shtetëror, Vlladimir Ançev. Gjithashtu, e pranishme përmes një video fjalimi ishte edhe zëvendëskryeministrja Sllavica Gërkovska, raporton Portalb.mk.
Euroambasadori Geer përmendi se rezistenca kibernetike është tema e vitit. Krimi kibernetik i kushton botës 1 trilion dollarë, që është pak më pak se 1 përqind e PVB global. Euroambasadori shtoi se në luftën kundër Ukrainës, Rusia përdor edhe sulme kibernetike që të ngjallë frikë. “Pikërisht në Ukrainë, më shumë se 70 uebfaqe ishin target të sulmeve hakerëve, me ç’rast mesazhet që iu dërguan qytetarëve ukrainas thonin, Kini frikë dhe prisni të ndodhë më e keqja”, tha Geer.
Siç shtoi ai, edhe Maqedonia e Veriut tashmë ka qenë e ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike, siç ishte rasti në ditën e votimit në zgjedhjet parlamentare në qershor të vitit 2020, por edhe sulmet e uebfaqes së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrisë së Bujqësisë, si dhe asaj të UKM-së.
Euroambasadori Geer vuri në dukje se vendi ka mbetur prapa në gatishmërinë e tij për tu përballuar me kërcënimet kibernetike dhe shtoi se strategjia ekziston, por zbatimi është i ngadalshëm. Mes dobësive që ekzistojnë, e që janë perceptuar nga BE-ja, janë mungesa e gjërave elementare si identifikimi i autoriteteve kompetente dhe vendosja e bashkëpunimit praktik ndërmjet institucioneve për parandalimin e kërcënimeve kibernetike. Geer tha edhe se nuk ka tregues për matjen e suksesit, por ajo që është më e rëndësishme është se dy organet kombëtare nuk janë tërësisht funksionale.
“Puna e tyre ishte e pa dokumentuar, e fragmentuar”, theksoi David Geer.
Ai shtoi se ka edhe dobësi të tjera që ekzistojnë edhe në vendet e tjera, si numri i vogël i punonjësve në institucione dhe mirëmbajtja e dobët e bazave të të dhënave në shumë institucione, të cilat janë vullnerable ndaj sulmeve.
Në fjalimin e tij, Geer tha edhe se shteti nuk ka një formë bashkëpunimi me sektorin privat dhe shoqërinë civile, se institucionet në vend duhet të marrin pjesë më aktive në Agjencinë Evropiane të Sigurisë Kibernetike dhe Ekipin e Reagimit ndaj Kërcënimeve Kibernetike të BE-së dhe se këto mundësi duhet të shfrytëzohen sa më parë të jetë e mundur nga Maqedonia e Veriut. Ai tha se në korrik të vitit 2022 vendi filloi negociatat me BE-në, kështu që procesi i skriningut do të jetë një mundësi për t’i azhurnuar aktivitetet sa i përket elasticitetit kibernetik.
Ambasadori holandez Dirk Jan Kopp, në fjalimin e tij në hapjen e Konferencës, tha se rezistenca kibernetike është në krye të shqetësimeve të Maqedonisë së Veriut, kështu që nuk mund të flasim për siguri pa hapësirën kibernetike. Qasja holandeze ndaj sigurisë kibernetike është që t’i ndalojë ata që thyejnë rregullat, por në të njëjtën kohë Holanda dëshiron t’i ndihmojë vendet e tjera sa i përket rezistencës kibernetike.
Ambasadori Jan Kopp shtoi se Maqedonia e Veriut është e prirur ndaj teorive të konspiracionit dhe është një vend i mirë për përhapjen e dezinformatave dhe për këtë arsye Ambasada e Mbretërisë së Holandës në sinergji me Fondacionin Metamorfozis po punon në një projekt rajonal për të zbuluar dezinformatat dhe ndikimet e huaja malinje mbi demokracinë. Ai gjithashtu tha se është i lumtur që Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 103-të e GFCE – Global Forum on Cyber Expertise (Forumi Global për Ekspertizë Kibernetike).
Ambasadori britanik Mathew Lawson në fjalimin e tij në këtë Konferencë përmendi se baraspesha më e mirë midis lirisë dhe sigurisë është të kur ke përgjigje për tre pyetje: i kujt është interneti, kush e përdor internetin dhe kush e rregullon internetin. Meqenëse përgjigjet nuk janë të qarta, gjetja e një baraspeshe mes lirisë dhe sigurisë është një detyrë mjaft e vështirë.
Ai shtoi se sot në botë ka 2 miliardë përdorues të internetit dhe 5 miliardë lidhje telefonike celulare. Këto janë statistika të mëdha që janë të rëndësishme edhe për rezistencën kibernetike. Ai tha se hakimi i parë 20 vjet më parë lejoi që të gjitha hakimet pasuese të ishin më suptile. Sipas të dhënave për Britaninë e Madhe, shpenzimet për rezistencën kibernetike vitin e kaluar qeverisë britanike i kushtuan 27 miliardë paund. Humbësit kryesorë nga kërcënimet kibernetike janë pikërisht bizneset, të cilët humbasin pronën intelektuale ose bëhen pre e spiunazhit.
Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska, në hapjen e Konferencës tha se ne si shoqëri duhet të punojmë edhe për sigurinë kibernetike dhe për rezistencën kibernetike, të cilat si procese duhet t’i realizojmë paralelisht me procesin e transformimit dixhital të shoqërisë.
“Sigurinë kibernetike nuk duhet ta shohim si shpenzim, por si një investim që nga njëra anë e mbron vendin tonë dhe qytetarët tanë nga sulmet e jashtme, por nga ana tjetër mundëson edhe përforcimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe në sistemin”, tha zëvendëskryeministrja Gërkovska në fjalimin e saj.
Ajo theksoi se me iniciativë të kabinetit të saj, Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 103-të e GFCE – Global Forum on Cyber Expertise, në të cilin marrin pjesë qeveritë e vendeve më të zhvilluara në botë, organizata si OSBE, Banka Botërore, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, Interpoli, Odat tregtare dhe kompanitë private që punojnë në këtë temë.
Gërkovska njoftoi se javën që vjen, në bashkëpunim me organizatën estoneze E-governance Academy, e cila ndihmon proceset e transformimit dixhital në disa vende, do të organizohet “Strategic Cyber security table-top exercise”, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga pothuajse të gjitha ministritë në Qeveri dhe agjencitë qeveritare që kanë kompetenca në fushën e sigurisë kibernetike.
Sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes, Vlladimir Ançev, në fjalimin e tij në Konferencë, tha se transformimi dixhital po bëhet një forcë kryesore lëvizëse për zhvillimin shoqëror. Megjithatë, varësia gjithnjë e në rritje nga teknologjitë e informatike dhe të komunikimit e rrit nevojën për një sistem funksional për mbrojtje kibernetike.
“Teksa ne po nxjerrim maksimumin nga teknologjitë, nga ana tjetër, edhe ata që kryejnë sulme kibernetike e duan të njëjtën gjë”, tha sekretari shtetëror Ançev.
“Sulmet kibernetike janë një sfidë serioze për sigurinë për vend dhe në rajon dhe tek ne kemi një numër të madh të sulmeve kibernetike.
“Për fat të keq, ne nuk mund t’i trajtojmë ato si diçka që ndodh vetëm një herë, ose si diçka që ka ndodhur në të kaluarën dhe nuk do të ndodhë më në të ardhmen”, tha Ançev dhe shtoi se vendi është i vetëdijshëm për të gjitha sulmet që merr për shkak të mbështetjes së tij për Ukrainën.
Ministria e Mbrojtjes ka definuar prioritetet për definimin e mbrojtjes kibernetike dhe është duke ndërmarrë hapa konkrete, tha sekretari shtetëror.
Ai përmendi krijimin e një ekipi ushtarak për reagim në hapësirën kibernetike, i cili është në fazën e zhvillimit të tij. Përveç kësaj, Ministria e Mbrojtjes investon në certifikimin e punonjësve dhe në mbajtjen e personelit cilësor në këtë ministri për të cilin ka nevojë sistemi i mbrojtjes kibernetike. Në këtë drejtim, theksoi Ançev, hap shtesë janë edhe ndryshimet në Ligjin për shërbimin ushtarak, i cili mundëson bursa për kuadro të tilla kritike që do të mundësojnë ndërtim në afat më të gjatë.
Prioriteti i dytë i kësaj ministrie është krijimi i të ashtuquajturit autoritet për mbrojtje kibernetike, i cili do të mbikëqyrë aktivitetet e kësaj fushe në rrafsh kombëtar. Nisma e tretë e rëndësishme është formimi i elementeve kibernetike në grupin e batalionit të këmbësorisë, që do të mundësojnë siguri kibernetike të kësaj njësie ushtarake.
Drejtori ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, në fjalimin e tij para të pranishmëve tha se Konferenca e-Shoqëri.mk organizohet gjithmonë për tema të cilat Fondacioni Metamorfozis i konsideron të rëndësishme dhe prioritare dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për to.
Tema për një shoqëri të sigurt kibernetike u imponua si jashtëzakonisht e rëndësishme këtë vit
“Sfidat janë të shumta, bota po ndryshon me shpejtësi, dixhitalizimi kontribuon që kjo të ndodhë edhe më shpejt, teknologjitë dixhitale i bëjnë shërbimet më të mira dhe më të shpejta. Me këtë dinamikë të ndryshimeve problemet janë të mëdha dhe ne si vend dhe si rajon duhet të përshtatemi”, tha Jashari.
Ai rikujtoi se ne nuk i kemi zgjidhur problemet e vjetra, por që tashmë jemi përballë transformimit dixhital dhe ndryshimeve në kontekstin gjeopolitik, ndaj si vend duhet të punojmë shumë shpejt dhe t’u përshtatemi sfidave.
Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë qenë dëshmitarë të sulmeve kibernetike që kanë për qëllim destabilizimin e vendit, ndaj duhet të jemi të vetëdijshëm se këto sulme nuk do të ndalojnë, por me të tilla do të përballemi vazhdimisht.
“Duhet ta ruajmë sigurinë pa krijuar teknofobi, pa ngjallur frikë nga teknologjia”, tha Jashari.
Ai shtoi se Fondacioni Metamorfozis me projekte të mbështetura nga Google, Ambasada e Mbretërisë së Holandës, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimi Evropian po bën përpjekje për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave për të cilat do të diskutohet Konferencën e-Shoqëri.mk këtë vit, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet në rajon.
M. Z. Send an email 17:01, 06-12-2022