Tren për në Beograd nuk do ketë as vitin që vjen, për në Selanik dhe Stamboll pritet miratim nga Hekurudhat e Greqisë
Hekurudhat e RMV-së ka përgatitur orarin e ri të udhëtimit për vitin 2023, i cili hyn në fuqi më 11 dhjetor të këtij viti. Sipas tij, treni ekspres për në Beograd nuk do të qarkullojë as vitin që vjen, ndërsa sa i përket lëshimit në qarkullim të trenit të paralajmëruar nga Shkupi drejt Selanikut dhe Stambollit pritet miratimi i Hekurudhave Greke, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.
“Me orarin e ri nuk është paraparë qarkullim i trenit ndërkombëtar të udhëtarëve në relacionin Beograd – Shkup – Selanik dhe anasjelltas, për shkak se nuk janë eliminuar shkaqet e ndërprerjes së komunikacionit, gjegjësisht rikonstruimi i hekurudhës ndërmjet Nishit dhe Brestovcit”, njoftojnë nga Hekurudhat e RMV-së.
Me fillimin e punëve ndërtimore në linjën hekurudhore mes Nishit dhe Preshevës rreth dy vjet më parë u ndërpre qarkullimi edhe i trenit ekspres që lidhte Shkupin me Beogradin.
Sa i përket lëshimit të një treni të ri ekspres nga Shkupi drejt Selanikut dhe Stambollit, nga Hekurudhat thonë se një mundësi e tillë ekziston nëse arrihet një marrëveshje ndërmjet tri kompanive kombëtare hekurudhore nëpër të cilat do të kalojë treni.
Megjithatë, nga Hekurudhat e RMV-së thonë se ka mundësi që të lëshohet një tren i ri ekspres nga Shkupi për në Selanik dhe Stamboll, nëse arrihet një marrëveshje ndërmjet tre kompanive kombëtare hekurudhore nëpër të cilat do të kalojë treni. Drejtori i Hekurudhave të RMV-së këtë vjeshtë ishte për një vizitë në Turqi, në të cilën ndër të tjera u diskutua edhe për këtë çështje.
“Gjatë bisedimeve që u zhvilluan ndërmjet drejtorëve të përgjithshëm të Hekurudhave të RMV-së Sh.A Shkup dhe Hekurudhave Shtetërore të Turqisë, parimisht u arrit një marrëveshje për projektin për transportin e udhëtarëve mes Shkupit, Selanikut dhe Stambollit. Por ende jemi në pritje të miratimit nga Hekurudhat e Greqisë”, thonë Hekurudhat e RMV-së.
Megjithatë, nga njoftimet se me orarin e ri do mund të vihen në qarkullim edhe trena tejkufitarë të udhëtarëve mes Manastirit dhe Lerinit në Greqi, për momentin nuk ka asgjë. Greqia duhet ta rikonstruktojë hekurudhën nga Lerini deri në kufirin greko-maqedonas, në mënyrë që të mund të diskutohet për vënien në qarkullim të trenave midis këtyre dy qyteteve. Përndryshe, nga pala maqedonase në linjën Shkup-Manastir-Shkup ka nga tre trena, kurse nga ana greke dy trena në ditë ndërmjet Lerinit dhe Selanikut, me çka një situatë e këtillë lë hapësirë për bashkëpunim të ardhshëm për të lidhur Manastirin dhe Lerin me trena tejkufitar.
Përndryshe, në orarin e ri të trenave që hyn në fuqi më 11 dhjetor, nuk do të ketë ndryshime në qarkullimin e trenave të udhëtarëve, shtojnë nga Hekurudhat e RMV-së. Në qarkullim do ketë dy trena mes Shkupit dhe Gjevgjelisë, mes Shkupit dhe Manastirit tri trena, mes Shkupit dhe Kumanovës katër trena dhe mes Shkupit dhe Velesit nëntë trena.
Nga ndërmarrja hekurudhore sqarojnë se edhe me orarin e ri, për një kohë të caktuar nuk do të qarkullojnë trenat e paraparë në linjën nga Shkupi drejt Prishtinës, Koçanit dhe Kërçovës, të cilët në kushte normale duhet të qarkullojnë një herë në ditë drejt secilit prej këtyre destinacioneve.
„Këto trena do rifillojnë qarkullimin pas sigurimit të mjeteve teknike materiale për realizimin e udhëtimeve“, informojnë nga Hekurudhat e RMV-së.
Rritet numri i udhëtarëve, çmimet e biletave pa korrigjime
Edhe pse tashmë një vjet e gjysmë trenat e udhëtarëve për në Prishtinë, Koçan dhe Kërçovë nuk funksionojnë dhe nuk ka tren ekspres për në Beograd dhe Selanik, në muajt e fundit transporti hekurudhor për udhëtarë ka shënuar rritje të numrit të udhëtarëve. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës (EShS), në periudhën nga muaji qershor deri në muajin shtator të vitit 2022, me tren kanë udhëtuar 108.000 udhëtarë, ndërkohë që në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar trenin si mjet transporti e kanë përdorur 66.000 udhëtarë.
Nga muaji janar deri në muajin shtator të këtij viti, në vendin tonë me tren kanë udhëtuar rreth 274 mijë udhëtarë, që është më shumë se numri i përgjithshëm i udhëtarëve të transportuar në vitin 2021. Përdryshe, për shkak të mungesës së trenave mekanikisht në rregull që janë në dispozicion për linjat e Hekurudhave të RMV-së, në orarin aktual zakonisht nuk qarkullojnë nga tre trena siç është e planifikuar, gjë që sërish nuk e ul interesimin gjithnjë e në rritje të qytetarëve për të udhëtuar me tren.
Në kushtet të rritjes së përgjithshme të çmimeve të të gjitha produkteve dhe shërbimeve në vend, Hekurudhat e RMV-së për momentin nuk e kanë rritur çmimin e biletave të trenit, të cilat nuk janë ndryshuar prej më shumë se një dekadë. Kështu, bileta e trenit për vajtje-ardhje nga Shkupi për në Kumanovë kushton 140 denarë, që është më pak se një biletë autobusi në një drejtim. E njëjta gjë vlen edhe për atë mes Shkupit dhe Velesit, ku bileta e trenit në dy drejtime kushton 180 denarë, ndërsa bileta e autobusit në një drejtim kushton 200 denarë. Biletat e trenit për në linjat e tjera në vend ku mund të zgjidhni midis trenit dhe autobusit janë më shumë se dy herë më të lira.
Pavarësisht rritjes së numrit të udhëtarëve në vitin 2022, parë nga një këndvështrim historik, përdorimi i mjetit më ekologjik të transportit masiv të udhëtarëve po shënon një tendencë të rënies së numrit të udhëtarëve, por edhe të numrit të përgjithshëm të trenave në qarkullim. Në periudhën para vitit 2015, në vendin tonë me tren kanë udhëtuar mbi një milion udhëtarë në vit, ndërsa në periudhën e ish Jugosllavisë, hekurudha ka regjistruar edhe nga më shumë se 6 milionë udhëtarë të transportuar me trenat e asaj kohe.
M. Z. Send an email 16:23, 05-12-2022