Samiti BE – Ballkani Perëndimor: E ardhmja e rajonit është në BE
Samiti i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor i cili mbahet për herë të parë në Tiranë ballafaqoi ritheksoi edhe njëherë sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor si dhe hapat që duhet të ndërmerren në disa fusha të rëndësishme. Zyrtarët nga dy rajonet dhanë mesazhet e tyre për çështjet që tangojnë Ballkanin Perëndimor, disa nga të cilat Portalb.mk po i transmeton më poshtë.
Këshilli Evropian njoftoi se “samiti është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë të BE-së”.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Joseph Borrell para mediave deklaroi se BE-ja është e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor dhe sfidat me të cilat aktualisht po përballet.
Ndërsa sa i përket dialogut Kosovë –Serbi ai njoftoi se është dorëzuar drafti i fundit i propozimit të BE-së (propozimi franko-gjerman). Ai kërkoi që dy shtetet të angazhohen në këtë drejtim.
“Është moment i rëndësishme për dialogun Kosovë Serbi. Dje në Serbi e kemi dorëzuar versionin e fundit të propozimit që është vendosur në tavolinë ndërsa në Kosovë e kemi dorëzuar sot”, deklaroi Borrell.
President i Këshillit Evropian, Charles Michel theksoi se e ardhmja e BE-së është me e sigurt me Ballkanin Perëndimor.
“Jam absolutisht i bindur që e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor brenda BE-së. Dhe po punojmë fort në mënyrë që të shënojmë përparime… Ky është një hap shumë i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Një tjetër element i rëndësishëm është mbështetja që duam të sjellim Ballkanit Perëndimor në raport me krizën energjetike dhe vështirësitë energjetike që janë pasojat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Kjo tregon angazhimin tonë për të forcuar integrimin, bashkëpunimin me rajonin”, deklaroi Michel i cili mes tjerash theksoi se shtetet duhet të përmbushin reformat.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen para fillimit të samitit njoftoi se fokusi do të jetë në tema të biznesit dhe progresin e vendeve në rrugën e tyre drejt BE-së.
“Sot do përqendrohemi tek çështjet e biznesit, si dhe progresin që kanë shënuar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e anëtarësimit. Jam e gëzuar që Bosnje Hercegovina po përparon për marrjen e statusit kandidat. Është bukur që Shqipëria dhe Maqedonia Veriut kanë hapur negociatat e anëtarësimit. Anëtarësimi varet vetëm nga përparimi që shënon vendi kandidat, jo nga vitet që zgjat process”, deklaroi von der Leyen.
President i Francës, Emanuel Macron theksoi se duhet të punohet për solidaritet brenda Bashkimit Evropian për sa i përket integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Lufta në Ukrainë është çështje sigurie për të gjithë rajonin. Kemi që prej shkurtit, marsit duke punuar, por jam shumë i lumtur që sot jam në Shqipëri. Kemi projekte konkrete për të diskutuar, gjithashtu është e rëndësishme që të ketë solidaritet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për energjinë dhe për procesin e integrimit të kësaj pjese në Bashkimin Evropian. Është e rëndësishme që të punohet drejt një solidariteti të mëtejshëm të mëtejshëm të thellimit të agjendës politike”, tha Macron.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni theksoi se kanë përgjegjësi sa u përket shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe u zotua për mbështetje të tyre.
“Kemi përgjegjësi ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sidomos më shumë edhe pas agresionit së Rusisë kundrejt Ukrainës. Është shumë e rëndësishme që të forcojmë procedurën për anëtarësimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian dhe ka shumë çështje që duhet të punojmë së bashku për ekonominë, sigurinë kibernetike si edhe çështje të tjera. Ju e dini që Italia është plotësisht e përkushtuar”, deklaroi Meloni.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama samitin e ka konsideruar si ditë të jashtëzakonshme që nuk ishte menduar më pare.
“Është diçka që edhe në imagjinatën më guximtare s’do kishte përfytyruar cdo ndodhte. Sinjal i vetëdijes së BE-së ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani për BE”, deklaroi Rama.
Në këtë samit, Kosova po përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, e cila ka theksoi rëndësinë e samitit dhe nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit.
“Jam këtu si lidere e shtetit më pro-evropian, në këtë drejtim ne kemi treguar përkushtimit tonë ndaj BE-së dhe vlerave evropian. Neve na duhet që BE-ja të lëviz nga fjalët në vepra, veçanërisht kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ashtu siç do të bëj të ditur para të gjithë liderëve të BE-së, Kosova deri në fund të këtij viti do të paraqesë aplikimin për anëtarësim në BE, sigurisht që shpresojmë për mbështetje të plotë të anëtarëve të BE-së”, theksoi Osmani.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, deklaroi se po merr pjesë në samit për të shprehur atë që mendon vendi i tij.
“Kam ardhur në Tiranë për të marrë pikëpamjet e liderëve të BE-së dhe rajonit, por edhe për të thënë atë që mendon Serbia. Është gjithmonë më mirë të jesh në tryezë, përndryshe do të jesh në meny”, tha Vuçiq.
Delegacioni qeveritar i vendit në Samit udhëhiqet nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndërsa marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.
“Maqedonia e Veriut dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor përkasin në Bashkimin Evropian. Vashkimi Evropian mbetet partneri ynë tregtar më i madh dhe më i besueshëm, por edhe mbështetësi kryesor i rajonit në transformimin e shoqërive në ato me vlera dhe stile jetese evropiane”, njoftoi Kovaçevski.
“Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është investimi i joni permanent në paqen e Evropës, stabilitetin dhe sigurinë. Prioriteti gjeopolitik i BE-së është unifikimi i rajonit- konfirmuam sot në takimin me Joseph Borrell. RMV-ja mbetet partner kredibil i BE-së, 100% në vijë me politikën e jashtme të BE-së”, njoftoi Mariçiq.
Temat kryesore të diskutimit në Samit u fokusuan në: pasojat e agresionit rus në Ukrainë, intensifikimin e angazhimit politik, përforcimin e sigurisë dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja, adresimin e sfidave të paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Para fillimit të Samitit, operatorët e telekomunikacionit nga vendet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor nënshkruan marrëveshje që do të mundësojë uljen e çmimeve të roamingut ndërmjet BE-së dhe rajonit nga viti i ardhshëm. Nënshkrimi i Deklaratës për roaming do të garantojë ulje të ndjeshme të kostove të roamingut nga 1 tetori 2023. Tarifat afër niveleve kombëtare të çmimeve janë planifikuar të arrihen deri në vitin 2027.
Ndryshe, Samiti i cili mbahet në Tiranë vjen pas trembëdhjetë takimeve dhe samiteve që janë mbajtur nga viti 2013 e këndej. I njëjti është samiti i parë mes liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor,
- LEXO: Në Tiranë u nënshkrua marrëveshja për roaming më të lirë mes vendeve të B.Perëndimor dhe BE-së
- LEXO: Historiku i samiteve ndër vite
F. Xh. Send an email 13:59, 06-12-2022