POLITIKATË FUNDIT

Meta Fakt: Nuk u realizua premtimi i ministrit Bekteshi për ndalimin e importit të automjeteve nën standardin EURO 5

Komunikacion, Caircanja, Cair, automobil, vetura, veture,.

Deklarata e ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, të cilën ai e bëri në fund të muajit janar të vitit 2021, e ku tha se gjatë vitit që shkoi në Maqedoninë e Veriut do të ndalohet importi i automjeteve me standard të emetimeve të gazrave nën EURO 5, është e pavërtetë. Shtrëngimi i kritereve për importin e automjeteve të përdorura në vend në vitin 2021 nuk u bë, madje një gjë e tillë nuk ka ndodhur as deri më sot në vitin 2022, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Këtë vit do duhet të rritet standardi për importin e automjeteve në vendin tonë. Ndërsa sa i përket masave, ne tashmë jemi duke zbatuar disa masa për vendosjen e pajisjeve për funksionimin e automjeteve me gaz”, njoftoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në konferencën “Vizioni për Tranzicionin Energjetik 2040”, shkroi servisi Deutsche Welle në gjuhën maqedonase më 27 janar të vitit 2021 dhe njoftoi se në vitin 2021 do të ndalohet importi i automjeteve nën standardin EURO 5 për emetimin e gazrave.

Këtë njoftim e publikuan edhe televizionet Sitel dhe Аlsat-M një ditë më parë, pra në 26 janar të vitit 2021, duke e përcjellë kështu deklaratën e ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Deklarata e dhënë nga ministri Bekteshi deri në fund të vitit 2021 nuk u realizua, e as nuk u zbatua nga Qeveria e RMV-së gjatë vitit 2022 deri në ditën e publikimit të këtij teksti.

Në 9 prill të vitit 2021, Меta.mk publikoi tekst në të cilin përcillej një njoftim i Ministrisë së Ekonomisë sipas të cilit në fillim të muajit maj të vitit 2021 Ministria e Ekonomisë do të fillojë me përgatitjen e një analize e cila do duhet të japë të dhëna për ndryshimin e Rregulloreve për ngritjen e standardeve për import të automjeteve, gjegjësisht që do e heqë standardin EURO 4.

“Pasi të përfundohet analiza dhe mbi bazë të të dhënave të fituara do të fillohet me ndryshimin e Rregulloreve“, informuan për Meta.mk nga Ministria e Ekonomisë në tekstin e publikuar në 9 prill të vitit 2021.

Menjëherë në qershor të vitit 2021 Meta.mk publikoi se nga Ministria e Ekonomisë kanë deklaruar se po përgatitet analiza e cila do duhej të prodhonte të dhënat për ndryshimin e Rregulloreve për ngritjen e standardeve për importin e makinave nga jashtë vendit, gjegjësisht për ta ndaluar importin e makinave të përdorura që janë në standardin EURO 4.

„Pasi të përfundohet analiza dhe në pajtim me të dhënat e fituara, do i qasemi ndryshimit të Rregulloreve“, janë përgjigjur shkurt nga Ministria e Ekonomisë në tekstin e publikuar në 10 korrik të vitit 2021.

Në muajin tetor të vitit të kaluar autoritetet kompetente informuan se premtimi i ministrit Bekteshi për ndalimin e importit të automjeteve të përdorura me standard nën EURO 5 nuk do të realizohet në vitin 2021.

“Në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë analiza e rregulloreve që dalin nga Ligji për automjetet, e që e rregullojnë importin e automjeteve, është në fazën përfundimtare. Në të njëjtën kohë po bëhet përcaktimi i specifikimeve teknike që duhet t’i plotësojnë automjetet gjatë importit që të përmbushin të paktën standardin EURO 5. Pritet që rregulloret të miratohen në fillim të vitit të ardhshëm”, informuan për Meta.mk nga Ministria e Ekonomisë në tekstin që është publikuar në 1 tetor të vitit 2021.

Në fillim të vitit 2022, Меta.mk në 12 janar shkroi se Ministria e Ekonomisë është përgjigjur se vendimi për ndryshimin e nivelit të emetimit të gazrave nga automjetet të cilat importohen në vend duhet ta sjellë Qeveria e RMV-së, ndërsa ata si ministri duhet ta zbatojnë të njëjtin përmes ndryshimit të Rregulloreve.

“Po bëhet një analizë e rregulloreve që dalin nga Ligji për automjetet e që e rregullojnë importin e automjeteve. Njëkohësisht po bëhet përcaktimi i specifikimeve teknike që duhet t’i plotësojnë automjetet gjatë importit që të përmbushin të paktën standardin EURO 5”, thanë nga Ministria e Ekonomisë në janar të vitit 2022.

Pranverën e kaluar, nga Qeveria e RMV-së për Meta.mk deklaruan se vendimi për ndryshimin e rregullores për importin e automjeteve të përdorura, me të cilat do të ndalohet importi i automjeteve me standarde të emetimit të gazrave nën EURO 5 nuk është miratuar.

“Kur pika të jetë në rendin e ditës të seancës qeveritare dhe kur të sillet vendimi për të, atëherë do e njoftojmë edhe publikun”, thanë shkurt nga Qeveria e RMV-së, publikoi Meta.mk në 11 maj të vitit 2022.

Si nga Qeveria e RMV-së, ashtu edhe nga Ministria e Ekonomisë për Meta.mk këtë verë informuan se publiku do informohet në kohë për atë se kur pushteti ekzekutiv do të vjellë një ndalesë të tillë, gjegjësisht për datën se kur ajo ndalesë do të hyjë në fuqi, shkroi Meta.mk në 27 gusht të vitit 2022.

Në 1 nëntor të vitit 2022 Meta.mk përmes postës elektronike i dërgoi pranë Ministrisë së Ekonomisë këto dy pyetje:

  • Кur mund të pritet miratimi i vendimit për shtrëngimin e kritereve për importin e automjeteve të përdorura nga jashtë vendit, me të cilat do të ndalohet importi në vendin tonë i automjeteve me standard nën EURO 5? A është paraparë që ky vendim të sillet gjatë këtij viti?
  • Nga cila datë do të hynte në fuqi ndalesa për importin në vend të automjeteve me standard nën EURO 5?

Deri në publikimin e këtij teksti nga Ministria e Ekonomisë nuk morëm përgjigje në pyetjet e parashtruara.

Mbi bazë të të gjitha argumenteve të shpalosura më sipër, mund të vlerësojmë se deklarata e ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sipas të cilës në vitin 2021 do duhej të ngrihej standardi për importin në vendin tonë të automjeteve të përdorura është e pavërtetë, gjegjësisht deri më sot Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk ka sjellë vendim, e as nuk ka caktuar një datë konkrete se kur mund të hyjë në fuqi ndalesa e importit të automjeteve të vjetra në vendin tonë me standard më të ulët se EURO 5.

Burime:

Deutsche Welle, servisi në gjuhën maqedonase (27.1.2021): Stop për importin e automjeteve të përdorura, verifikuar më 01.12.2022.

TV Sitel (26.1.2021): Мinistria e Ekonomisë njofton për ndryshime të rregullave për importin e automjeteve të përdorura, verifikuar më 01.12.2022.

TV Alsat-M (26.1.2021): Automjetet me standard nën EURO 5 nuk do mund të importohen në Maqedoni, verifikuar më 01.12.2022.

Meta.mk (9.4.2021): Vazhdon importi i makinave të përdorura me standard nën EURO 5, Ministria e Ekonomisë në maj do bëjë analiza, verifikuar më 01.12.2022.

Meta.mk (10.7.2021): Po punohet për ndryshimet, por nuk ka një datë konkrete kur do ndalohet importi i automjeteve me standard nën EURO 5, verifikuar më 01.12.2022.

Meta.mk (1.10.2021): Ndalesa për automjetet e përdorura me standard nën EURO 5 shtyhet për vitin 2022, verifikuar më 01.12.2022.

Meta.mk (12.1.2022): Qeveria e re do duhet të ndalojë importin e automjeteve me standard nën EURO 5 [infografik], verifikuar më 01.12.2022.

Meta.mk (11.5.2022): Janë importuar mbi 400.000 makina të përdorura, ndalesa e paralajmëruar nuk është në rend dite [infografik], verifikuar më 01.12.2022.

Meta.mk (27.8.2022): Vozisim mbeturina – mosha mesatare e automjeteve dhe autobusëve u rrit në 19,5 vjet [infografik], verifikuar më 01.12.2022.

M. Z. Send an email 13:39, 06-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *