POLITIKATË FUNDIT

Skandali me certifikatat për juristët e UEJL, institucionet verifikojnë nëse dhe universitetet tjera kanë lëshuar të tilla

Diplomë, student, universitet

Barlet Xhaferi, djali i kryeparalamentarit Talat Xhaferi e ka kaluar provimin e jurispodencës para se të diplomojë, pavarësisht se sipas ligjit, kandidatët duhet të kenë së paku 300 kredi sipas sistemit të Bolonjës. Xhaferi i ka kryer studimet trevjeçare për jurist në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) dhe ka marrë vërtetim diplomimi 7/1, e cila jepet për mbarim të studimeve katërvjeçare. Por, ky s’ka qenë rasti i vetëm, ka pasur qindra të tillë. Institucionet po verifikojnë nëse edhe universitetet tjera kanë dhënë vërtetime të tilla, UEJL arsyetohet se çdo gjë ka qenë sipas legjislacionit të kohës, shkruan Portalb.mk.

Sipas të dhënave të Komisionit për Parandalim të Korrupsionit të cilat i ka marrë nga Këshilli Inspektorati i cili ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në Universitetin e Evropës Juglindore, është konstatuar se gjatë periudhës 2008-2012, ka ekzistuar zonë gri për të cilën për më pak vite të mbaruara fakultet, është ndarë gradë si të mbarohen 4 vjet.

“Kemi kërkuar të dhëna se sa studentëve u janë dhënë vërtetime të këtilla. Përgjigja ishte se 449 studentë të cilët kanë diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në këtë universitet u është dhënë vërtetim për mbarim të studimeve në zgjatje prej 6 semestrave në të cilën është theksuar se kanë realizuar 180 kredi dhe është theksuar se e kanë marrë gradën e arsimimit 7/1 jurist i diplomuar”, thanë nga Antikorrupsioni në seancën e 28 nëntorit.

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni)

Nga UEJL thonë se lëshimi vërtetimeve apo certifikatave është bërë në përputhje me legjislacionin e kohës dhe se nuk bëhet fjalë për skemë keqpërdorimi.

“Deri para hyrjes në fuqi të Dekretit për Kornizën Nacionale të Kualifikimeve të Arsimit të Lartë, në Republikën e Maqedonisë, për ciklin e parë (deridiplomik), janë lëshuar certifikata, të cilat kanë vlejtur deri në lëshimin e dokumentit të diplomës, për shkallën kualifikimeve në fuqi VII/1. Krejt kjo është bërë në mungesë të një akti rregullues, por gjithnjë në mbështetje të sistemit në fuqi të kualifikimeve. Po ashtu, është me rëndësi për opinion publik të theksohet se në çdo periudhë të funksionimit të tij, studentët janë pajisur me diploma të rregullta në përputhje me Ligjin e Arsimit të Lartë dhe në përputhje me çdo plotësim ose ndryshim ligjor që ka ndodhur. Informacionet e ditëve të fundit me një konotacion negativ, janë të pabaza si të tilla sepse universiteti nuk bën pjesë në asnjë skemë keqpërdorimi ose veprimi të jashtëligjshëm”, u përgjigjën nga UEJL për Portalb.mk.

Por, paraprakisht, rektori i UEJL-së, Abdylmenaf Bexheti ka deklaruar se ka raste të vërtetimeve edhe pas miratimit të dekretit për thirrjet akademike, por se këto janë bërë për shkak të, siç tha ai, gabimeve teknike.

“Mes viteve 2011-të dhe 2012-të ka pasur raste të tilla ku vërtetimet janë dhënë me thirrje të gabuar VII-1, megjithatë prej vitit 2012-të e këndej gjithçka është në rregull. Në thelb nuk ka gabim, ka gabim administrativ dhe nuk është numri 437, por më i vogël se 200”, tha Bexheti.

Portalb.mk sot bisedoi me kryetaren e Antikorrupsionit Biljana Ivanovska e cila tha se, ata mbeten në rekomandimet që i kanë dhënë dhe do të vazhdojnë me hulumtimet përkatëse.

“Ne më nuk merremi me universitetin, për atë duhet të punojë inspektorati. Ne po merremi nëse ekzistojnë edhe raste tjera që kanë kaluar provimin e jurispodencës dhe nuk i kanë plotësuar kushtet. Kemi dhënë rekomandim që Ministria e Drejtësisë t’i vendos në formë elektronike dokumentet e të gjithë kandidatëve që çdokush të mund t’i shohë dhe e dyta, Ministria e Arsimit nëpërmjet Inspektoratit të Arsimit të kryejë kontrolle në të gjitha fakultetet nëse në mënyrë të rregullt japin vërtetime dhe diploma. Do të bisedojmë tani për hulumtim shtesë për tërë dukurinë jo vetëm për atë rast. Do ta verifikojmë nëse kjo ka ndodhur vetëm në UEJL ose edhe në universitetet tjera, por ende nuk jemi dakorduar”, tha Ivanovska.

 Ministria e Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë

Në lidhje me deklarimet e Antikorrupsionit se Ministria e Drejtësisë nuk ka dokumente dhe për atë mbyllet rasti me Barlet Xhaferin, nga Ministria e Drejtësisë për Portalb.mk deklarojnë se praktika e deritanishme e ruajtjes së dokumenteve të kandidatëve për provimin e jurispodencës ka qenë që të ruhen 1 vjet. Ndërkaq, kandidimi do të bëhet online.

“Me qëllim të tejkalimit të keqpërdorimeve eventuale rreth provimit të jurispodencës, Ministria e Drejtësisë e shqyrtoi mundësinë për paraqitje elektronike të provimit të jurispodencës nëpërmjet portali nacional “e-uslugi“. Në këtë mënyrë, kandidatët do t’i dorëzojnë dokumentet e tyre nëpërmjet rrugës elektronike”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit nuk është përgjigjur pyetjeve të Portalb.mk, nëse ka ndonjë përgjegjës për certifikatat e diplomave në UEJL, a kanë bërë verifikime nëse kjo ka ndodhur edhe në universitetet tjera, çfarë masa do të merren dhe a mund të shfuqizohen vërtetimet e tilla 7/11 për mbarim të fakultetit me 180 kredi.

Javorja “Fokus” shkruajti se Barlet Xhaferi, i cili së shpejti e mbaron Akademinë për Gjykatës dhe Prokurori dhe së shpejti do të bëhet gjykatës ose prokuror, e ka kaluar provimin e jurispodencës në kohën kur me Ministrinë ka udhëhequr Adnan Jashari nga BDI. Ndaj kësaj, Jashari reagoi, madje duke kërkuar që “Fokus” ta fshijë lajmin dhe të kërkojë falje. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë e dënoi thirrjen e Jasharit për fshirje të tekstit.

S. B. Send an email 15:02, 02-12-2022Original Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *