Gruaja e vrarë në Prishtinë kishte urdhër për mbrojtje
Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se gruaja shtatzënë, që është vrarë më 30 nëntor në oborrin e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë, ka pasur urdhër për mbrojtje.
Autoritetet kanë thënë se vrasës ka qenë bashkëshorti i saj, dhe viktima besohet se ishte rreth moshës 35-vjeçare.
Sipas vendimit, urdhri për mbrojtje i ishte lëshuar për gjashtë muaj, përkatësisht prej 13 gushtit të këtij viti deri më 13 mars të vitit të ardhshëm.
Sipas Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje, urdhri për mbrojtje lëshohet “me qëllim të parandalimit të dhunës në familje, për mbrojtjen e personit që i është ekspozuar dhunës, duke mënjanuar rrethanat që ndikojnë apo mund të ndikojnë në kryerjen e veprave tjera”.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka konsideruar papërgjegjësi institucionale këtë vrasje dhe ka thënë se “sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë do të mund të ishte parandaluar”.
“Viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psikike dhe fizike, dhe prokuroria, personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt. Është një papërgjegësi institucionale, është papërgjegjësi e prokurorit të rastit, sepse ne në vazhdimësi po bëjmë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajzave”.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur po ashtu se i dyshuari për kryerjen e vrasjes është shpallur fajtor këtë vit për posedim të paautorizuar të armës dhe ka aktakuzë për veprën penale të kanosjes.
Sipas komunikatës, Gjykata ka refuzuar kërkesën e të pandehurit për hedhje poshtë të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Ministrja Haxhiu ka thënë se Ministria e Shëndetësisë, qendrat për punë sociale dhe institucionet tjera, kanë marrë përgjegjësi për të verifikuar çdo veprim institucional të lidhur me këtë vrasje.
“Një grua, bashkë me foshnjën e saj që priste ta sillte në jetë, u vra para objektit të Gjinekologjisë. Ishte një rast i rëndë, i kobshëm, i trishtë, dhe ky rast na tregon sa i shprehur është femicidi që po vret jetë vajzash dhe grash. Pesë ditë, dy jetë të humbura, dy gra të vrara nga bashkëshortët e tyre”.
Policia ende nuk ka bërë të ditur nëse ka arrestuar persona të dyshuar për këtë rast.
Viktima është gruaja e dytë që është vrarë në ditët e fundit në Kosovë.
Më 25 nëntor është raportuar se një burrë e ka vrarë gruan e tij me sëpatë në një lagje të Prishtinës.
Më 25 nëntor, në Kosovë ka nisur fushata “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, dhënë Radios Evropa e Lirë, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2.067 raste të dhunës në familje me 2.126 viktima.
Nëse keni nevojë të raportoni dhunën në familje, këta janë numrat që janë vënë në dispozicion:
Policia e Kosovës: 192 dhe 0800 19 999
Mbrojtësit e viktimave: 0800111112